Sot ka ndërruar jetë Prof. Dr. Murat Murati, një personalitet i shquar i arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Prof. Dr. Murat Murati lindi më 17 mars 1940 në Zajaz. Pas përfundimit të shkollimit fillor, vazhdoi arsimin në Shkollën Normale të Shkupit. Fillimisht punoi një vit si mësues në vendlindje, ndërsa më pas ndoqi studimet në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku diplomoi me sukses në degën e Biologjisë.
Karrierën e tij profesionale e zhvilloi si profesor në Shkollën Normale të Shkupit, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Zagrebit, ku përfundoi me sukses magjistraturën dhe doktoraturën në shkencat biologjike, dega e botanikës. Ai u bë një nga likenologët më të njohur në Ballkan dhe më gjerë.
Gjatë veprimtarisë së tij shkencore bashkëpunoi me emra të njohur ndërkombëtarë si Dr. Pavletiç (Zagreb), Dr. Codoreanu (Bukuresht), Dr. Tobolevski (Krakov), Dr. Sorensen (Stokholm) dhe Dr. Meyer (Lucern).
Prof. Murati ligjëroi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë dhe ishte ndër profesorët e parë të Universitetit të Tetovës. Deri në pensionim shërbeu si profesor dhe më pas dekan në Fakultetin Pedagogjik në Shkup.
Ai mbetet shkencëtari i vetëm shqiptar që përfundoi dhe botoi veprën madhore “Flora e likenëve të ish-Jugosllavisë”. Kontributi i tij pasqyrohet në qindra punime shkencore, disertacione, libra dhe vlerësime akademike.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 15.06.2026 (e hënë), në ora 14:00, në varrezat e qytetit të Strugës, ku ai kaloi vitet e fundit të jetës së tij.

