April 30, 2024
Maqedoni

Ndahet nga jeta njëri nga valltarët më të mirë të kohës nga Tetova, Hisen Berisha

Hisen Berisha apo siç njiheshte ndryshe baca Cen Berisha, një artist i popullit, mjeshtër virtuoz dhe ikonë e valleve tradicionale, burimore shqiptare, rrjedh nga një familje revolucionare, me vlera patriotike dhe fisnike. I ati i tij, Arif Kapedani ka qenë komandant i forcave balliste.

Ai filloi karrierën në SHKA “Xheladin Zeqiri”, si valltar i shquar dhe brilant. Bukur mirë i zbërthente motivet e valleve, që manifestonin gëzimet dhe hidhërimet e popullit. Ai rrëfente se këto valle janë autentike shqiptare. Të gjitha ato manifestojnë rezistencën dhe vuajtjet e popullit. Vallja e Kaçakëve manifeston robërimin, mos shkuarjen në ushtri të djemve që rekrutoheshin për në luftë në ushtritë e huaja. Një ndër vallet me motive rezistence është edhe ajo e Shpatave, me sloganin “Kush është trim-le të vijë në bashkim”. Nga të gjitha vallet, Cen Berisha kishte edhe vallen të cilën ai e kishte thurur dhe ia kishte kushtuar babait të tij, komandantit të Ballit Kombëtar të Pollogut, Arif Kapedanit.

Artisti i popullit, ikona e valleve, Cen Berisha ka marrë pjesë si i ftuar nëpër dasma në të gjitha qytetet e Maqedonisë Perëndimore, në Kosovë dhe Luginën e Preshevës. Karrierën si valltar e ka bërë në SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës. Më se katër dekada ka qenë aktiv dhe i palodhshëm në këtë shoqëri artistike, duke marrë pjesë në festivale në të gjitha ish-republikat jugosllave, si dhe në Shqipëri, Turqi dhe Bullgari. Si veteran i valleve burimore shqiptare, Cen Berisha ka qenë edhe koreograf në SHKA “Rexhep Voka” të Shipkovicës, por edhe në Sellcë, Nerashtë, mbi të gjitha në SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës, ku e bëri karrierën jetësore.