April 27, 2024
Ramazani 2023

Nata e Kadrit më e vlefshme se një mijë muajë!

Nata e Kadrit në Kuran njihet si nata më e vlefshme se një mijë muaj.

Nata e Kadrit në të cilën ka filluar zbritja e Kuranit, në Islam njihet si “Nata e shenjtë kur hapen dyert e qiellit dhe kur pranohen lutjet dhe pendimet”.

Si nata e vetme e përmendur në Kuran, Nata e Kadrit shpjegohet në këtë mënyrë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç‘të bëri ty të dish se ç‘është nata e Kadrit? Nata e Kadrit, është më e rëndësishme se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”.

Kjo natë kaq e madhe, ka shenjat e saj, të cilat nuk vihen re, vetëm pasi të ketë lindur dita e re.

Ndër këto shenja është se dielli i ditës që pason natën e Kadrit, lind pa reze, ose është i kuq dhe ndriçim të zbehtë.

Një shenjë tjetër që thuhet, është dhe shiu i lehtë që mund të bjerë natën e Kadrit, era dhe se ajo natë, është e hapur, as e nxehtë dhe as e ftohtë.

Të gjitha këto shenja, nuk janë të prera dhe nuk arrijnë në gradën e sigurisë së plotë. Ato mund të gjenden ose jo, sipas vendit dhe stinës. Ka vende myslimane ku shiu bie pa pushim, të tjera ku ka vite që nuk bie shi, të tjera që vuajnë nga të ftohtit dhe të tjera që vuajnë nga i nxehti.