May 12, 2024
Kolumna

Musliu: Ali Ahmeti frikohet nga Taravari, Grubi ende ka nostalgji për VMRO-në, vetëm lotët i mungojnë!

Bexhet Musliu, drejtor i Zhurnal.mk
Pak kush e priste se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), fushatën do ta fillojë dhe do ta mbarojë në Gostivar. Nuk ka diskutim se Gostivari është komunë e rëndësishme si për qytetarët shqiptarë, poashtu edhe për partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Mirëpo deri tani nuk e ka pasur peshën politike si Shkupi (kryeqyteti) dhe Tetova (komuna me numër më të madh të votuesve shqipatrë), ku zakonisht partitë shqiptare kanë filluar dhe mbaruar fushatat. Aq më pak deri sot ka ndodhur që një parti shqiptare, të fillojë dhe të mbarojë fushatën në të njëjtën komunë.

Nëse nuk gaboj, këtë po e bën për herë të parë BDI-ja edhe atë në një komunë, për të cilën u pajtuam se nuk rangohet e para në listën e komunave më të rëndësishme për partitë tona.

Lind pyetja se pse bëhet ky presedan, nëse më lejoni ta quaj si të tillë? Motivi me siguri është politik, e jo simbolik. Duke qenë plotësisht i bindur se këtë vendim e ka marë vetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, e askush tjetër, po u sjelli disa opinionne që qarkullojnë në opinion se cila është prapavija e këtij vendimi. Personalisht mendoj se katër prej atyre dilemave ia vlen të analizohen.

Fillojmë më radhë:

Gostivari është komuna në të cilën BDI ka pësuar më së tepërmi humbje zgjedhore që nga themelimi i saj, kur bëhet fjalë për komunat urbane me shumicë shqiptare. Ndoshta është komuna e vetme ku ka humbur dy herë radhaz- edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar edhe atë me dallim mjaft të theksuar. Ndoshta, duke u munduar tani ta rikthejë nën kontroll këtë komunë, të cilën tani “de facto” e ka shndërruar në seli të Shtabit Qendror Zgjedhor, BDI po mundohet të pengojë që “rrebelizmi” ndaj pushtetit të lëshojë rrënjë edhe më të thella në Gostivar, prej ku pastaj mund të përhapet në komunat tjera? Veç kësaj BDI mund të ketë frikë se me një fitore të re, Taravari mund të shndërrohet në lider të pakontestueshëm politik në të ardhmen.
Në Gostivar sërish kandidon Nevzat Bejta. Dy herë ka humbur, dy herë ka fituar në garën për të parin e Komunës. Një herë nga Rufi Osmani, e një herë nga kryetari i tanishëm, Arben Taravari. Në vitin 2017 ai gati se u përshëndet me politikën aktive, mirëpo u rikthye me instim të qytetarëve. Në ndarjen e ndodhur me “Grupin e Zjarrit”, ai i qëndroi besnik Ali Ahmetit. Ndoshta përkrahja e tanishme prej Ahmetit është kthim borxhi për besnikërinë e treguar, sepse po të kishte kaluar edhe Bejta te “Grupi i Zjarrit” edhe ashtu i fuqishëm, gjërat brenda BDI-së do të ishin zhvilluar ndryshe.
Mjaft interesante është edhe dilema e tretë që po qarkullon në opinion. Shumë njohës të rrethanave politike tek ne, pyesin mos ndoshta duke koncenturar forcat në Gostivar, BDI prej tani po krijon alibi për ndonjë humbje që mund t’i ndodhë në Kërçovë nga Fatmir Limani, ose nga kandidati i VMRO-DPMNE-së? Humbja eventuale në “selinë shpirtërore” të saj, Kërçovën, do të ishte goditje e madhe sa për BDI-në, aq më tepër për Ali Ahmetin. Prandaj me vend parashtohet dilema mos ndoshta BDI po bëhet gati që humbjen në Kërçovë ta arsyetojë me koncentrimin e saj të madh në Gostivar, se po të mos ishin koncentruar në Gostivar, Kërçovën do ta fitonin 100 për qind. Tingëllon si alibi i mirë, apo jo?
Në BDI gati publikisht e thonë se Arben Taravari e zbuloi formulën e fitores së mundshme të opozitës, përmes bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në. Kurse në partinë e Ahmetit gjatë kohë ishin mësuar të fitojnë duke pasur përkrahjen e plotë jo vetëm të njërës, por të dy partive maqedonase. Tani që VMRO e bëri të qartë se pa asnjë rezervë do të përkrahë kandidatët e koalicionit ASH-AAA, duhet ta pranojmë se punët për BDI-në janë bë shumë më të komplikuara. Krejt kjo na sjellë deri te dilema e katërt që po qarkullon në opinion, se duke e vendosur në shënjestër Taravarin, BDI në fakt po mundohet t’i hakmerret që ai u bë shkaktar për ndërprerjen e miqësisë VMRO-BDI, që kishte vazhduar edhe pas formimit të koalicionit qeveritar Zaev-Ahmeti. Nuk e kam marë seriozisht këtë dilemë, që goxha qarkullon në opinion. Mirëpo dje, me insistimin e një mikut tim e dëgjova (me 10 ditë vonesë) paraqitjen e Artan Grubit në Bit Pazar, prej ku me zë të mekur, gati vajtueshëm, u drejtohet në gjuhën maqedonase “patriotëve të VMRO-DPMNE-së”, duke i pyetur se a do ta votojnë ose jo Aleancën. Nëse nuk e keni dëgjuar këtë deklaratë të Grubit, mund ta dëgjoni gjithandej në internet. Nga zëri i tij u binda se emocionet për lidhjen 10 vjeçare me VMRO-në ende nuk janë shuar. Vetëm lotët mungonin!