May 2, 2024
Maqedoni

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali vizitoi Universitetin e Tetovës

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali sot vizitoi Universitetin e Tetovës, me ç’rast u takua me U.D. rektorin e kësaj vatre të arsimit të lartë shqip, Prof. Dr. Reshat Qailin.
“Gjatë takimit kishim mundësi të bashkëbisedojmë për mundësitë e zhvillimit dhe avancimit të veprimtarisë së Fakultetit të Mjekësisë në këtë universitet dhe Klinikës Universitare të Tetovës, si dhe për nevojën e zgjerimit të hapësirave të tyre.
Në kohën kur shëndetësia e gjithë botës është sfiduar nga detyrimet bashkëkohore të pandemisë, sigurisht që edhe UT-ja synon të përshtatet me kërkesat e kohës, për t’u përgjigjur kështu ndaj asaj që është bërë detyrim institucional që na obligon të gjithëve.
Si ministër i Shëndetësisë, u zotova që të jem në shërbim të kësaj qendre arsimore e kësaj klinike, siç e kemi për detyrim t’u shërbejmë edhe të gjitha institucioneve të tjera të këtilla dhe qytetarëve, në përgjithësi”, deklaroi Sali pas takimit.