May 16, 2024
Maqedoni

Ministri Çupi u drejtohet mërgimtarëve për situatën e mbrëmshme në vendkalimin Tabanoc

Xhemail Çupi, Ministër i Diasporës

E dashur diasporë,
Në përgjigje të ankesave tuaja të shumta nga ngjarja e natës së mbrëmshme, ju njoftoj se sot gjendja në pikën kufitare Tabanocë është normalizuar, ndërsa pritjet për hyrje në vendin tonë nuk janë të gjata.
Ne si Kabinet në vazhdimësi jemi angazhuar dhe kemi punuar që periudhën e ardhjes së mërgimtarëve ta presim sa më të përgatitur, ashtu siç e meriton diaspora jonë.
Dua të kujtoj se në këtë angazhim kemi pasur mbështetjen e të gjitha institucioneve tjera kompetente dhe natyrisht edhe të Qeverisë. Falë këtij angazhimi, institucionet kompetente po bëjnë çmos që të menaxhojmë fluksin, që ju e dini se tradicionalisht është intensiv gjatë kësaj periudhe, duke shkaktuar radhë dhe vonesa jo vetëm në kufirin tonë, por edhe në kufijtë e vendeve anëtare të BE-së si Kroacia dhe Hungaria.
Vonesat e mbrëmshme në pikën kufitare Tabanocë nuk kanë qenë rezultat i mos angazhimit të autoriteteve kufitare, por efekt i pashmangshëm i veprimit të policisë për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe për të cilat zhvillime do të njoftoheni në formë plotësuese dhe në detaje nga institucionet përgjegjëse.
Fillimisht, dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këtë situatë fatkeqe me pasojat e të cilës ballafaqohet e gjithë shoqëria jonë dhe veçanërisht ju të diasporës si anë krejtësisht e pafajshme.
Më këtë rast, në emrin tim dhe në emër të kabinetit tim, dëshiroj të përgëzoj me përulësi përkushtimin serioz dhe zbatimin e aksionit të suksesshëm të institucioneve kompetente, me thirrje që të vazhdojë të veprojë në këtë formë edhe në të ardhmen me synim për të shënuar suksese të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe kriminelëve pavarësisht kush janë ata, me apo pa uniformë, për të parandaluar çdo lloj veprimi të kundërligjshëm sepse ligjet duhet të jenë të barabarta për të gjithë. Ky lloj qëndrimi ndaj drejtësisë do të na mundësojë ta përmbushim detyrimet ndaj vendit tonë, si demokratike nga njëra anë dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar nga ana tjetër.
Shprehim keqardhje që subjekte të caktuara po mundohen të përfitojnë pikë politike nga një situatë që ka ardhur si pasojë e aktiviteteve për parandalim të veprave ilegale, obligim që ne e kemi si shtet edhe para qytetarëve tanë, por edhe para faktorit ndërkombëtar.
Në fund, ju njoftojmë se në vitin e ri do ju mirëpresim me 23 zyra komunale për diasporë, për t’jua bërë më të lehtë qëndrimin tuaj në vendlindje.
Ne do ju mirëpresim këtu me dyer të hapura, siç jeni të mirë se ardhur edhe në Kabinetin tim të Diasporës, ku jemi në dispozicionin tuaj 24 orë në ditë.
Ju faleminderit!