Në një qytet ku shpesh nxitimi i përditshmërisë na bën të kalojmë pranë dhimbjes pa e vënë re, një histori sot riktheu vëmendjen tek humaniteti dhe përgjegjësia institucionale.

Në zemër të Shkupit, një burrë i pastrehë, i lënë në mëshirë të fatit dhe i përballur me një infeksion të rëndë që rrezikonte t’i kushtonte me amputim të këmbës, u bë simbol i një sistemi që shpesh dështon ndaj më të dobëtëve, por edhe i një reagimi që shpëtoi një jetë.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ndërhyri drejtpërdrejt për të ndihmuar një person të pastrehë që ndodhej në rrugën “Maqedonia”, përballë zyrës së Avokatit të Popullit, me një gjendje të rëndë shëndetësore.

Burri, i cili qëndronte i ulur në një karrike, kishte një infeksion serioz në këmbën e majtë, me plagë të hapura dhe të mbushura me qelb, që e pengonin të lëvizte dhe të mbathte këpucën. Në një deklaratë për “Sloboden Peçat”, ai rrëfeu për përvojën e tij të vështirë me sistemin shëndetësor. Sipas tij, pavarësisht se kishte thirrur dy herë Ndihmën e Shpejtë disa ditë më parë, nuk kishte marrë asistencë, me arsyetimin se nuk kishte automjete në dispozicion dhe se duhej të paraqitej vetë në institucionet shëndetësore.

" "

“Si të shkoj vetë kur mezi lëviz? U përpoqa të shkoj në spital, por kishte shumë njerëz dhe nuk më pranuan. U detyrova të kërkoj ndihmë duke bërtitur, por më thanë se nuk kishin mundësi të më trajtonin,” deklaroi ai, duke shtuar se gjendja e tij po përkeqësohej dhe se plagët i pastronte vetë me letër.

Edhe pas një telefonate në numrin emergjent 112, nuk pati reagim. Ndihma erdhi vetëm pas ndërhyrjes së ministrit Aliu, i cili urdhëroi dërgimin e një ekipi të Ndihmës së Shpejtë. Burri u transportua më pas në Qendrën Urgjente pranë Klinikës “Nënë Tereza”, ku mori trajtimin e nevojshëm.

sqShqip