May 10, 2024
Maqedoni

Ministri Admirim Aliti takoi ambasadorin e ri të OSBE-së në Shkup

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti, priti sot në takim Ambasadorin Kilian Wahl- Shef i ri i misionit të OSBE-së në Shkup, me të cilin diskutuan mbi reformat, planet dhe sfidat nga të cilat priten ndryshime reale.

“E informova Ambasadorin mbi përgjegjësitë dhe zhvillimet e politikave të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, veçanërisht mbi prioritetet tona të përbashkëta si administrata publike, respektivisht mbi finalizimin e Ligjit për Nëpunësit Administrativ dhe Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik, si dhe për strategjinë e re të Reformave në Administratë Publike 2023-2030, me ç’rast e falënderova për mbështetjen e deritanishme të OSBE-së në këtë drejtim”, njoftoi ministri Aliti pas takimit.

Aliti ia ka bë të ditur ambasadorit Wahl se me procesin e Riorganizimit dhe ligjet përkatëse që përfshihen në reforma, ekziston optimizëm se do të arrihet të krijohet një administratë publike profesionale dhe efektive, që në radhë të parë përmbush nevojat e qytetarëve, si dhe standardet evropiane paralelisht.

“Diskutuam gjithashtu mbi çështjen e mediave, ku theksova se jemi të fokusuar dhe i kushtojmë vëmendje të veçantë çdo veprimi që ndërmarrim, pasi vërtetë media paraqet një nga komponentët tona më të ndjeshme.

I bindur se angazhimi i OSBE-së përfaqëson një element jetik në të gjitha proceset e vendit, shprehëm gatishmërinë të thellojmë bashkëpunimin tonë, ndaj duke falënderuar Ambasadorin për vizitën e tij u pajtuam që takimet tona të jenë më të shpeshta”, njoftoi ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti.