Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është njoftuar se Bullgaria ka kthyer 11.6 tonë speca nga Maqedonia e Veriut, për shkak të nivelit të rritur të pesticideve, përcjell TV21. Siç deklaroi sot drejtori i AUV-së, Oliver Millanov, ende pritet vendimi nëse sasia do të asgjësohet në vendin importues, në Bullgari, apo do të kthehet në Maqedoninë e Veriut dhe të asgjësohet në deponinë “Drislla”.

“Operatori ka të drejtë që specat të asgjësohen ose të kthehen. Ne, së bashku me Inspektoratin e Bujqësisë, do t’i asgjësojmë me kërkesë të operatorit ose të vendit importues. Jemi njoftuar për rastin konkret dhe presim të shohim nëse do të asgjësohen në Bullgari apo do të kthehen këtu, ku operatori do t’i asgjësojë në ‘Drislla’”, deklaroi Millanov në një konferencë për media në Ministrinë e Shëndetësisë.

sqShqip