Faktori njeri është shkaku i zjarrit që shpërtheu sot në katin e dytë të Spitalit të përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”.
Drejtori i spitalit, dr. Sinisha Stojanoski, konfirmoi se bishti i një cigareje është shkaku i zjarrit. Menjëherë u realizua evakuimi i pacientëve dhe personelit mjekësor pasi nga dritaret filloi të dilte tym, ndërsa u thirr edhe Brigada e zjarrfikësve. Nuk ka persona të lënduar nga zjarri.
Komandanti i Brigadës së mbrojtjes kundër zjarrit të Qytetit të Shkupit, Zvonko Tomevski, deklaroi se zjarri u lokalizua brenda një kohe të shkurtër dhe nuk ka rrezik për përhapjen e mëtejshme të tij. Ai shtoi se janë djegur karroca për persona me aftësi të kufizuara.
“Janë djegur karroca për persona me aftësi të kufizuara, të lëna në ballkonin e një dhome spitali. Zjarri është shuar shpejt dhe nuk ka rrezik për përhapjen e tij. Nuk ka persona të lënduar. Është marrë një thirrje përmes numrit 112 dhe menjëherë janë dërguar katër automjete në spital. Zjarri është shuar menjëherë me aparatet kundër zjarrit. Pra, zjarri ka ardhur nga karrocat, nuk është djegur asnjë instalim elektrik”, tha Tomeski.
Më herët, nga Qendra për menaxhim me krizat njoftuan se përmes E 112 është marrë njoftim për zjarr në katin e dytë të SPQ “8 Shtatori” në Shkup pas çka menjëherë janë njoftuar Brigada për mbrojtje kundër zjarrit e Qytetit të Shkupit (BMKZ). Nga ana e BMKZ-së është konfirmuar se bëhet fjalë për zjarr në hapësirën e brendshme të repartit për ortopedi, i cili është lokalizuar dhe nuk ka rrezik për përhapje të tij.

