April 27, 2024
Shqipëri

Milaim Zeka në Festivalin e Birrës në Korçë, nuk i pengon Bregoviçi

Gazetari i njihur nga Kosova Milaim Zeka ka qenë pjesë e Festës së Birrës në Korçë mbrëmjen e sotme, bashkë me familjen e tij.

Ai ka përcjellë ndjesitë më të mira nga kjo natë, e madje nuk ka ngurruar të thotë me batutë se bashkëshortja e tij është ridashuruar me të pas shijimit të Birrës Korça.

Zeka hedh idenë madje që të ketë një festë të Birrës edhe në Prizren.

“Kam qenë dhjetëra herë në Korçë. E kam përcjell Shqipërinë për radio televizionin në Suedi. Për mua qytetet më të dashura janë Korça dhe Prizreni. Për herë të parë kam ardhur për festën e birrës. Kjo birrë që prodhohet nga 1928 na ka lidhur të gjithë shqiptarëve. Korça duhet të jetë strumbullari i bashkimit të kombit shqiptar. Për keqardhje që disa qarqe antishqiptare i kanë dhënë ngjyra politike kësaj feste të madhe.

Unë jam pjesëtar i luftës, kam familjen e vrarë, nënën e zhdukur dhe nuk më intereson se kush është i ftuar në këtë festival, më intereson që shikoj të bashkuar shqiptarë nga e gjithë bota. Duhet të flasim për gjëra që na bashkojnë jo që na ndajnë.
Sot në Kosovë performon një grup serb anti shqiptar, kur s’kemi çfarë t’i bëjmë gomarit i biem samarit. Por sot jam këtu duke shijuar birrën Korça që ka një shije fantastike. Gruaja ime që po shijon birrën Korça është ridashuruar me mua, si duket po i dukem tjetër njeri. Jam me familjen time. Mendoj se Birra Korça duhet të vijë të bëjë një festë në Prizren. Në Korçë ju premtoj që do vij në çdo festë. Ne shkojmë për festën e birrës në Mynih pse të mos vijmë në Korçë”, tha Zeka.