Arrestohen drejtor dhe një e punësuar në “Pyjet Nacionale”, konfiskohen kamionë dhe 400 metra kub dru për ngrohje.
Zëvendësdrejtori Kirе Mihailov njoftoi për disa raste në Prilep, Veles, Sveti Nikollë dhe Shkup. Në njërin prej rasteve, sipas tij, dëmi tejkalon 50.000 euro, transmeton portali Lideri.mk.

Drejtori i një njësie të Ndërmarrjes Publike “Pyjet Nacionale” dhe një e punësuar në këtë ndërmarrje janë ndaluar gjatë ditëve të fundit, në raste të ndara që lidhen me dyshimet për veprime të paligjshme me masën drusore. Për rastet ka informuar zëvendësdrejtori i ndërmarrjes, Kirе Mihailov, i cili paralajmëroi se do të mbajë përgjegjësi secili për të cilin do të konstatohet se ka shkelur ligjin.

Sipas Mihailovit, drejtori aktual i njësisë “Bor” në Prilep është thirrur në bisedë zyrtare lidhur me një rast në të cilin janë konfiskuar dy automjete transportuese. Një ditë më parë, siç theksoi ai, ishte ndaluar edhe një e punësuar në njësinë “Babuna” në Veles.

“Bëhet fjalë për kolegë për të cilët, sipas MPB-së, ekzistojnë dëshmi dhe indicie serioze se e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë shkelur ligjet në Maqedoni”, deklaroi Mihailov.

" "

Ai bëri të ditur gjithashtu se para disa ditësh është ngritur kallëzim penal kundër një të punësuari në njësinë e Sveti Nikollës, një ish-drejtor nga periudha e qeverisjes së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, si dhe kundër një personi juridik nga Buzalkova. Sipas tij, në këtë rast dëmi tejkalon 50.000 euro.

Gjatë shtatë ditëve të fundit, sipas Mihailovit, janë konfiskuar disa kamionë që lidhen me persona të cilët ai i cilëson si “përfitues të tenderëve dhe prerës të paligjshëm të druve”.

Gjithashtu, nga një person juridik në Shkup janë konfiskuar rreth 400 metra kub dru për ngrohje, vlera e të cilave, sipas tij, arrin afërsisht 30.000 euro.

Mihailov theksoi se kontrollet dhe procedurat duhet të dëshmojnë se ligji vlen për të gjithë, pavarësisht lidhjeve apo pozitës që kanë.

“Nuk e di kush dhe sa më beson e më kupton kur them se drejtësia vlen për të gjithë dhe se nuk ka të mëdhenj e të vegjël, tanët e tuajt. Është e thjeshtë: secili që ka shkelur ligjin do të përgjigjet! Ka përfunduar koha si deri më tani”, deklaroi zëvendësdrejtori i “Pyjeve Nacionale”.

sqShqip