May 10, 2024
Maqedoni

Migrimi po zbraz shkollat edhe në vendet e rajonit

Migrimi po zbraz shkollat edhe në vendet e rajonit. Në Kosovë, numri i nxënësve që kanë kërkuar dokumentet për të migruar jashtë vendit në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe vetëm dy muaj pas liberalizimit të vizave është i madh. Megjithatë, numri më i lartë është i mësimdhënësve. Janë afër 600 mësues të cilët janë larguar jashtë vendit. Sindikata e Arsimit në Kosovë gjendjen nëpër shkolla e konsideron si shqetësuese, madje thekson se nëse vazhdon ky fluks i largimit, shkollat do të mbesin të zbrazura.“Numri i mësimdhënësve të cilët po largohen nga Kosova, është në rritje në të njëjtën kohë përveç mësimdhënësve të cilët po largohen edhe me familjet e tyre duke i tërhequr edhe nxënësit nga shkollat. Nëse vazhdon një trend i tillë i mësimdhënësve dhe nxënësve, në një të ardhme, shkollat do të mbesin bosh. Kjo është një alarm që shkollat pa mësimdhënës për ata fëmijë që do të mbesin, kush do t’i mësoj. Ndërsa, në vitin 2024, me liberalizimin e vizave, kemi mësimdhënës që fare pa bërë kërkesë po ikin nga vendi ynë dhe po ikin në Evropë për të gjetur vende e kushte më të mirë të punës, fare nuk po bëjnë kërkesa për pushim dhe vetëm po largohen. Numri sipas kryetarëve të sindikatave komunale, është diku afër 600 mësimdhënës tani më veçse nuk i kemi në shkollat tona”, tha Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së Arsimit.

“Që nga shtatori e deri para dy jave të fundit, të paktën kemi 75 nxënës të cilët i kanë marrë dokumente dhe kanë shkuar në botën e jashtme. Në mesin e këtyre nxënësve kemi edhe një mësuese që ka shkuar edhe ajo të jetojë në Gjermani. Këto javët e fundit kemi një paralajmërim, disa prindër të cilët janë duke pritur dokumentet deri sa ata do të pajisen më këto dhe pastaj mund të jetë edhe mundësia që edhe 22/23 nxënës të shkojnë në botën e jashtme”, u shpreh Ismet Gashi, drejtor i shkollës.