Kryeministri Hristijan Mickoski pret që gjatë vizitës së tij të ardhshme në SHBA, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, të mund të nënshkruhet marrëveshja dypalëshe mes dy vendeve.
Maqedonia mbështet fuqishëm presidentin amerikan Donald Trump dhe administratën e tij dhe dëshiron që dialogu strategjik me Uashingtonin të shndërrohet në rezultate konkrete në fushën e sigurisë, energjisë, infrastrukturës, tregtisë dhe investimeve, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë ekskluzive për Breitbart News.
Mickoski thekson se mbështetja e qeverisë maqedonase për Trumpin kishte nisur që para se ai të zgjidhej sërish president i SHBA-së. Maqedonia ishte ndër vendet e para evropiane që vendosën kontakte me njerëz nga ekipi i Trumpit gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2024. Menjëherë pas samitit të NATO-s në Uashington, në korrik 2024, një ekip bashkëpunëtorësh të Trumpit vizitoi Maqedoninë.
Qeveria maqedonase që atëherë kishte dërguar një mesazh të qartë se ishte e gatshme për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në. Pas zgjedhjes së Trumpit president, një delegacion qeveritar maqedonas mori pjesë në inaugurimin e tij në Uashington, duke konfirmuar mbështetjen për administratën e re amerikane dhe duke diskutuar për bashkëpunimin e ardhshëm.
– Edhe para se të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, disa nga njerëzit që janë pjesë e rrethit të tij më të afërt na vizituan gjatë fushatës, në një kohë kur jo shumë vende evropiane besonin se Trump do të bëhej president. Ne u zgjodhëm si qeveri në qershor të vitit 2024. Menjëherë pas samitit të NATO-s në Uashington, në korrik 2024, një ekip bashkëpunëtorësh të presidentit Trump na vizitoi në qeveri dhe praktikisht në atë kohë ishim qeveria e vetme që priti anëtarë të ekipit të presidentit Trump. Në mesin e tyre ishin sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, ish-anëtari i Kongresit Devin Nunes dhe Chris Pavlovski, pronari i Rumble, i cili është me origjinë maqedonase. Ata na vizituan në qeveri dhe ne përcollëm një mesazh të fortë mbështetjeje për Trumpin para se ai të bëhej president, – deklaroi Mickoski.
Më pas, kur Trump u zgjodh president, Mickoski u ftua në ceremoninë e inaugurimit dhe një delegacion i qeverisë maqedonase vizitoi Uashingtonin.
Mickoski thekson se mbështetja për Trumpin në Maqedoni është shumë e lartë, më e lartë se kudo tjetër në Evropë, dhe se me kënaqësi do ta priste Trumpin në vend, nëse agjenda e presidentit amerikan do ta lejonte.
– Me kënaqësi do ta pres në nivelin më të lartë. Ai do ta gëzojë mbështetjen e qytetarëve maqedonas. Kur të ketë një termin të lirë në agjendën e tij, ne do të jemi shumë të kënaqur ta presim, nëse vendos ta vizitojë rajonin, sepse, siç thashë, ndryshe nga shumë aleatë të tjerë në Evropë, ne jemi një vend që pa dyshim ofron mbështetje kur bëhet fjalë për administratën e presidentit Trump. Madje, shumë më herët, edhe para se ai zyrtarisht të bëhej president, kur nuk kishte shumë vende në Evropë që besonin se ai do ta mposhtte Kamala Harris gjatë garës presidenciale, – tha Mickoski.
Në intervistë, Mickoski theksoi gjithashtu se Maqedonia në disa raste ka mbështetur qëndrimet e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, përfshirë çështje që lidhen me Iranin, Venezuelën dhe Kubën.
– Kur Amerikës i duheshin aleatë për të mbajtur qëndrime, vendi im nuk u fsheh në turmë, – deklaroi Mickoski.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin me përfaqësuesin amerikan Richard Grenell dhe ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, veçanërisht në fushën e energjisë dhe mundësive për eksportin e gazit natyror të lëngshëm amerikan në rajon.
– Ne jemi pikë kyçe e interesave amerikane në Ballkan dhe jemi shtyllë e fortë e mbështetjes së interesave amerikane në Ballkan. Pra, pa asnjë dyshim, qëndrojmë pranë partnerëve tanë strategjikë, politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Trump dhe i mbështesim fuqishëm, – theksoi Mickoski.
Mickoski pret edhe më shumë bashkëpunim mes SHBA-së dhe Maqedonisë gjatë muajve të ardhshëm.
Ai theksoi se Maqedonia ishte ndër vendet e para që nisën bisedimet me administratën Trump pas vendosjes së tarifave amerikane dhe se në negociata është arritur një marrëveshje dypalëshe për normë zero të tarifave doganore.
Sipas tij, Maqedonia do të ketë zero tarifa për eksportin e produkteve të saj në SHBA, ndërsa njëkohësisht do të aplikojë zero tarifa për produkte të caktuara amerikane.
– Kemi zero tarifa kur bëhet fjalë për eksportin e produkteve maqedonase në Shtetet e Bashkuara. Mendoj se së shpejti, ndoshta gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të kemi një takim zyrtar, qoftë në Shtëpinë e Bardhë apo diku tjetër, për të nënshkruar këtë marrëveshje dypalëshe mes dy vendeve. Mendoj se kjo do t’u shtojë vlerë marrëdhënieve mes dy vendeve, – tha Mickoski.
Ai vlerësoi se një marrëveshje e tillë do të lehtësonte eksportet amerikane dhe do të tërhiqte më shumë investitorë amerikanë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.
Mickoski tha se gjatë vizitës së tij në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mund të krijohet mundësia për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe, qoftë në Shtëpinë e Bardhë apo në Departamentin e Shtetit. Ai gjithashtu shpreson që gjatë qëndrimit në SHBA të takohet me presidentin Trump.
Në fund, Mickoski theksoi se qeveria maqedonase dëshiron t’i zhvillojë marrëdhëniet me Uashingtonin jo vetëm në aspektin politik dhe të sigurisë, por edhe përmes projekteve konkrete ekonomike, investimeve dhe bashkëpunimit në infrastrukturë. Sipas tij, kjo është thelbi i dialogut strategjik që Maqedonia e Veriut ka nisur me SHBA-në.

