Gjatë 27 muajve të fundit, përkatësisht në 8-9 tremujorët që nga zgjedhja e kësaj Qeverie, rritja mesatare është mbi 3.5 për qind në terma realë, ndërsa te partneri ynë më i madh tregtar, Bashkimi Evropian apo eurozona, ajo lëviz ndërmjet 1 dhe 1.2 për qind.
Kjo është tre herë më shumë krahasuar me rritjen mesatare te partneri ynë më i madh tregtar, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në prezantimin e raportit të ri të Bankës Botërore, “Maqedonia: Dalja nga kurthi i të ardhurave të mesme”.
Duke iu referuar viteve 2006 dhe 2008, kur shteti kishte rritje prej 5, 5.5 dhe madje 6 për qind, Mickoski tha se në atë kohë rritja ishte e tillë në të gjithë botën.
Nëse analizojmë tremujorin e tretë të këtij viti, dje Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhënat për importin dhe eksportin. Ne tashmë për muajin e dytë të tremujorit të tretë, përveç korrikut edhe në gusht, kemi 11.5 për qind rritje të eksportit dhe 8.5 për qind rritje të importit.
Pra, eksporti po rritet më shpejt se importi, jo në vlera nominale, sepse jemi një vend i varur nga importi.
“Por dua të them se në kushte kur kemi sfidat më të mëdha në botë, kur kemi dy luftëra në fqinjësi, kur kemi krizën më të madhe energjetike, jo sipas Qeverisë së Maqedonisë, por sipas Fatih Birolit, drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në kushte kur pati një takim urgjent të vendeve të G7-s, sepse njëra prej anëtareve në 15 për qind të pompave nuk kishte karburant dizel, në kushte kur ekzistonte mundësia që njëra prej vendeve të G7-s të ndalonte eksportin e dizelit, ne megjithatë arritëm të sigurojmë çmim stabil, më të ulëtin në Evropë, dhe kjo na mundësoi ta konsolidojmë inflacionin”, tha Mickoski.
Në korrik inflacioni ishte 2.3 për qind, ndërsa në gusht 2.6 për qind, në një kohë kur mesatarja evropiane në korrik ishte 2.9 për qind, ndërsa në gusht 3.3 për qind.
“Tani Eurostat publikoi vlerësimet paraprake për shtatorin – 3.8 për qind. Na bindnin se inflacioni ishte i importuar. Epo, ai mund edhe të mos ishte i importuar”, deklaroi Mickoski.
Sipas analizave të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, kryeministri pret që inflacioni te ushqimet dhe pijet joalkoolike në shtator të jetë ndërmjet 1.5 dhe 2 për qind në nivel vjetor.
Qendrat e të dhënave
Mickoski pret që shteti të krijojë mundësi për vende pune të paguara mirë dhe cilësore, të cilat do të kontribuojnë pozitivisht në ekonominë maqedonase, përmes ndërtimit të qendrave të të dhënave, për të cilat tashmë ka pesë ose gjashtë investitorë të interesuar.
Sipas kryeministrit Mickoski, inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave janë një proces i pashmangshëm dhe ai beson se shteti do të jetë në gjendje t’u ofrojë shërbime investitorëve potencialë.
“Pavarësisht se sa forca retrograde do të kemi që do të na tërheqin prapa, ne si Qeveri jemi të vendosur ta shtyjmë këtë proces përpara dhe do të shkojmë deri në fund në realizimin e tij, sepse ai është i pakthyeshëm.
Shpesh në fjalimet e mia them se kjo nuk është më shkencë e së ardhmes, nuk është industri e së ardhmes, por është industri e së tashmes. Në vitin 2040 ose 2050 do të flasim për disa teknologji të tjera edhe më të avancuara se superinteligjenca apo inteligjenca artificiale”, theksoi Mickoski.
Qeveria, tha ai, është e fokusuar dhe po punon në përshtatjen e ligjeve të caktuara. Nëse realizohet gjysma e investimeve nga pesë-gjashtë investitorët më seriozë të interesuar, atëherë, sipas tij, mund të flitet për eksport të shërbimeve me vlerë prej qindra miliona dollarësh ose qindra miliona eurosh.
“Ky proces është i pakthyeshëm dhe këtu nuk ka kthim prapa, pavarësisht se sa e fortë do të jetë debati publik. Sepse nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi, atëherë do ta shfrytëzojë dikush tjetër. Nëse ne nuk e njohim këtë mundësi, tashmë shumë vende në botë e kanë njohur”, tha ai.
Reforma në politikën sociale
Paralelisht me këto procese, Qeveria po punon edhe në reformat e brendshme. Mickoski veçoi analizën në fushën e politikës sociale.
“Arritëm në një zbulim interesant gjatë analizës së GMP-së – përfituesve të ndihmës minimale të garantuar ose të sigurimit social. Këtë muaj fatura, pas një analize të detajuar dhe verifikimit në terren, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, është më e ulët për 200 milionë denarë.
Tani me siguri po pyesni: ‘Si është e mundur kjo?’ Është e mundur sepse përfitues kanë qenë, për fat të keq, persona të vdekur, të shpërngulur, persona fiktivë e kështu me radhë.
Pra, nga buxheti kemi shpenzuar më shumë se 1 deri në 1.5 miliardë denarë në mënyrë fiktive për përfitues të ndihmës minimale të garantuar dhe sigurimit social. Ende nuk kemi arritur te përfituesit e tjerë”, tha Mickoski, duke theksuar se deri tani janë zbuluar 4,500 përfitues fiktivë të GMP-së.
Sipas tij, kjo reformë kap vlerën e 25 milionë eurove.
“Dikush do të thotë: ‘Mirë, kjo është thjesht një kontroll, për çfarë reforme po flisni?’ Është reformë prej 25 milionë eurosh. Sot bëjmë spektakle për investime shumë më të vogla se 25 milionë euro në vit.
Nëse e analizojmë këtë dhe e vendosim në këtë proces, do të vijmë në një situatë ku, nëse këtu kursejmë 25 milionë, atje 25 milionë dhe në një vend tjetër 25 milionë, ja ku janë reformat, ja ku janë paratë që mund t’i investojmë në investime kapitale, të cilat më pas do të na krijojnë mundësi për të tërhequr investime që gjenerojnë fitim më të madh”, tha Mickoski.
Infrastrukturë dhe energjetikë
Në fjalimin e tij për raportin e Bankës Botërore mbi rritjen dhe vendet e punës, të cilin e cilësoi si një bazë të mirë për reformat e mëtejshme që Qeveria duhet t’i përfundojë, kryeministri foli edhe për projektet infrastrukturore që po realizohen.
Ai përmendi rrugët ekspres, segmentet e autostradave, lidhjen hekurudhore, si dhe objektivat energjetike dhe gazifikimin.
Sipas Mickoskit, përfundimi i këtyre projekteve do ta forcojë ndjeshëm pozitën gjeostrategjike të vendit.

