Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se investimi i kompanisë “Alcazar Energy Partners” në parkun e erës në territorin e komunave Radovish, Shtip dhe Karbinci paraqet një hap të rëndësishëm për zhvillimin energjetik dhe ekonomik të vendit.
Sipas Mickoskit, investimi pritet të arrijë një vlerë prej rreth 500 milionë dollarësh, ndërsa projekti do të sjellë kapacitete të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.
Ai theksoi se projekti do të krijojë qindra vende pune, do të kontribuojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonë dhe do të prodhojë rreth 1 teravat-orë energji elektrike në vit.
Mickoski tha se realizimi i plotë i projektit do të ishte një hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike të Maqedonisë, ndërsa paralajmëroi se “Alcazar Energy Partners” ka interes edhe për investime të tjera në vend.
Kryeministri nënvizoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë investimet “greenfield”, veçanërisht projektet që prodhojnë energji nga burime të rinovueshme dhe që kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike.
Sipas tij, Maqedonia ka potencial të madh për zhvillimin e energjisë së erës dhe mund të shfrytëzojë pozitën e saj për t’u bërë pjesë e një rrjeti më të gjerë evropian të prodhimit dhe furnizimit me energji të rinovueshme.
Mickoski tha se potenciali i përgjithshëm i vendit për prodhimin e energjisë së rinovueshme mund të arrijë deri në 24 teravat-orë, që sipas tij do të mund të gjeneronte të ardhura prej rreth 2 miliardë eurosh në vit.
Ai e cilësoi projektin si një dëshmi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore, investitorëve dhe institucioneve financiare mund të sjellë projekte të mëdha strategjike për vendin.

