Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë promovimit të pajisjeve të reja komunale, deklaroi se Qeveria e tij e ka trashëguar shtetin në gjendje të rëndë, por sipas tij, gjatë 26 muajve të fundit janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike.
Mickoski tha se Qeveria ka përfunduar projekte të nisura më herët dhe ka vazhduar ndërtimin e rrugëve të shpejta, autostradave dhe segmenteve hekurudhore. Ai paralajmëroi gjithashtu nisjen e një seksioni të ri të autostradës gjatë muajit të ardhshëm.
Duke folur për sistemin shëndetësor, kryeministri tha se janë ndërmarrë masa për rindërtimin e spitaleve dhe kritikoi politikat e qeverive të mëparshme, veçanërisht mënyrën e menaxhimit të krizës së koronavirusit.
Sipas Mickoskit, një nga prioritetet kryesore të Qeverisë ka qenë decentralizimi i mjeteve financiare nga buxheti qendror drejt komunave. Ai theksoi se në këtë mënyrë janë siguruar projekte me vlerë prej rreth 500 milionë eurosh për investime kapitale nëpër komuna.
Në fokus të fjalimit ishte edhe pajisja e komunave me makineri dhe mjete të reja për menaxhimin e mbeturinave dhe përmirësimin e higjienës publike. Mickoski u bëri thirrje qytetarëve për më shumë përgjegjësi ndaj mjedisit jetësor.
Ai paralajmëroi edhe një hap tjetër të Qeverisë, që lidhet me transportin publik ekologjik, duke deklaruar se në periudhën e ardhshme pritet të fillojë shpërndarja e autobusëve elektrikë nëpër komuna.
“Nga një shtet i gjunjëzuar, i plaçkitur dhe i shkatërruar, sot mund të themi se Maqedonia është një vend më i mirë për të jetuar”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se beson se pas tre vitesh vendi do të jetë edhe më i mirë.
Kryeministri falënderoi anëtarët e Qeverisë, ministrat, kryetarët e komunave, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe deputetët për mbështetjen e projekteve.
Në fund, Mickoski tha se Qeveria do të vazhdojë të punojë për realizimin e projekteve të premtuara, duke pranuar se situata ende nuk është ideale dhe se qytetarët përballen me vështirësi, por theksoi se qëllimi është të bëhet maksimumi për përmirësimin e kushteve të jetesës.

