Kryeministri Hristijan Mickoski me rastin e Shtatorit, tha se kjo ditë është më shumë se një festë e pavarësisë dhe se përvjetori i 35-të duhet të shërbejë si pikë kthese për mënyrën se si mendohet e ardhmja e shtetit.
Ai theksoi se gjatë 35 viteve Maqedonia e Veriut ka ndërtuar institucione, është bërë anëtare e OKB-së dhe NATO-s dhe ka kaluar nëpër embargo, kriza, konflikte dhe tronditje ekonomike. Megjithatë, sipas tij, ka pasur edhe vite të humbura, mundësi të humbura dhe vendime të dhimbshme.
Mickoski tha se shumë qytetarë janë larguar nga vendi sepse nuk kanë parë mundësi për të realizuar potencialin e tyre, ndërsa njerëzit e ndershëm dhe të aftë shpesh kanë mbetur në hije.
“Por erdhi koha të bëjmë diçka më shumë se mbijetesa. Ambicia jonë kombëtare në 35 vitet e ardhshme nuk duhet të jetë vetëm të mbijetojmë. Duhet të kemi sukses”, theksoi Mickoski.
Sipas tij, beteja e re nuk zhvillohet me armë apo për territore, por në shkolla, spitale, gjykata, fabrika, universitete dhe institucione, ku qytetari duhet të ndiejë se shteti ekziston për të dhe jo e kundërta.
Mickoski foli edhe për nevojën që të ndalet praktika e trajtimit të funksioneve si privilegj dhe të shtetit si pronë. Ai tha se një shtet përparon kur shpërblen njerëzit më të aftë, më të ndershëm dhe punën.
Në pjesën politike të fjalimit, ai tha se është i gatshëm për dialog dhe për ndërtimin e urave, por theksoi se për çështjet që lidhen me identitetin, ekzistencën, gjuhën dhe kulturën maqedonase, sipas tij, nuk duhet të ketë kompromise.
Për integrimin evropian, Mickoski deklaroi se dëshiron që qeveria e tij të jetë gjenerata që do ta fusë vendin në Bashkimin Evropian, duke shtuar se nuk sheh alternativë tjetër. Por ai kërkoi fillimisht krijimin e besimit dhe respektimin e disa çështjeve që i konsideron thelbësore për identitetin maqedonas.
Ai bëri thirrje edhe për bashkim të qytetarëve, duke thënë se maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të tjerët kanë interes të përbashkët që shteti të jetë i suksesshëm.
Mickoski përmendi edhe rezultatet ekonomike të qeverisë, duke deklaruar se në tremujorin e dytë të vitit 2026 rritja reale e PBB-së ishte 4.3%, ndërsa inflacioni, sipas tij, është vënë nën kontroll. Ai tha gjithashtu se eksportet janë rritur më shpejt se importet.
Në fund të fjalimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të besojnë në atdheun e tyre dhe tha se qëllimi duhet të jetë ndërtimi i një shteti më të fortë, të bashkuar dhe dinjitoz, ku fëmijët do të qëndrojnë, do të krijojnë dhe do të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Fjalimin e përmbylli me urimin për 35-vjetorin e pavarësisë.

