Mexhiti “godet” Dimitrievskin: Nëse i pengon shqipja, Kumanovën e ka në dy gjuhë, ta lirojë vendin e kryetarit të komunës
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj qëndrimeve të liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, lidhur me mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në debatin “Verdict” në TVM2, Mexhiti e akuzoi Dimitrievskin se deri dje promovonte konceptin qytetar, ndërsa sot, sipas tij, ai po shfaq qëndrime ultranacionaliste për këtë çështje dhe po kërcënon me largimin nga Qeveria.
“Nëse i pengon shqipja, Kumanovën e ka në dy gjuhë, duhet ta lirojë vendin e kryetarit të komunës. Nëse i pengon shqipja, tabela para Qeverisë është maqedonisht dhe shqip dhe atëherë ministrat e tij nuk duhet të jenë në Qeveri. Nëse i pengon shqipja, Kuvendi është në dy gjuhë edhe deputetët e tij nuk duhet të jenë në Kuvend. Pra, e shoh këtë si punë fushate dhe folklor politik nga ana e tij”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është rezultat i një marrëveshjeje politike, e cila sipas tij, për herë të parë në historinë e vendit hap rrugën që ky provim të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Sipas tij, edhe kryeministri e ka cilësuar këtë si marrëveshje politike, duke theksuar se një mundësi e tillë nuk ka ekzistuar më parë.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka akuzuar ZNAM-in dhe BDI-në se po veprojnë në mënyrë të sinkronizuar lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Duke folur në emisionin “Verdict” në TVM2, Mexhiti ka thënë se zhvillimet e fundit kanë dëshmuar qëndrimet e mëparshme të VLEN-it, ndërsa theksoi se studentët shqiptarë duhet të jenë të qetë lidhur me këtë çështje.
“Qytetarët duhet ta dinë pse veprohet në mënyrë të sinkronizuar, veprojnë edhe njëra edhe tjetra. Që qytetari ta ketë më të qartë, edhe në komunizëm, pluralizëm edhe pas vitit 2001, derisa VLEN nuk ka qenë në qeveri, provimin e jurisprudencës studentët shqiptarë e kanë dhënë në gjuhën maqedonase”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se për herë të parë, me kërkesën e studentëve dhe në kuadër të përbërjes aktuale qeveritare është arritur marrëveshje për miratimin e një ligji të veçantë që do të mundësojë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Është hera e parë që studentët e kërkuan këtë dhe në këtë qeveri, me këta numra, arritëm te marrëveshja që për herë të parë në historinë e vendit të sillet ligj për provimin e jurisprudencës”, u shpreh Mexhiti.
Mexhiti: Studentët shqiptarë e jepnin provimin e jurisprudencës në maqedonisht, me VLEN-in për herë të parë do ta japin në shqip
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se marrëveshja për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe përbën një të arritur historike, duke theksuar se kjo është realizuar gjatë pjesëmarrjes së VLEN-it në Qeveri.
Duke folur në emisionin “Verdikt” në TVM 2, Mexhiti u shpreh se studentët shqiptarë, para se VLEN-i të bëhej pjesë e Qeverisë, provimin e jurisprudencës e kanë dhënë në gjuhën maqedonase.
“Ne nuk iu kundërvumë studentëve dhe nuk thamë se kjo e drejtë nuk ka qenë e mundur të realizohet në të kaluarën. Por, në këtë Qeveri, me këta numra, arritëm marrëveshjen që për herë të parë në historinë e këtij shteti të sillet ligj për provimin e jurisprudencës, ashtu siç kërkuan studentët, që provimet t’i kenë në gjuhën shqipe”, tha Mexhiti.
Ai përmendi shtatë provimet që, sipas tij, do të mund të zhvillohen në shqip, përfshirë të drejtën penale, civile, të punës, kushtetuese dhe administrative.
Mexhiti sqaroi se pjesa praktike ende nuk mund të rregullohet në gjuhën shqipe, duke ia atribuar këtë çështje tri fushave që kanë mbetur të hapura pas shqyrtimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Komisioni i Venecias: gjyqësorit, uniformave dhe monedhave.
Duke komentuar reagimet e BDI-së dhe të kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, lidhur me këtë çështje, Mexhiti u bëri thirrje qytetarëve të analizojnë faktin që, sipas tij, të dy palët po flasin me të njëjtin qëndrim.
“Qytetarët duhet ta analizojnë pse të dyja flasin me një zë”, deklaroi Mexhiti.

