Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, gjatë vizitës në Komunën e Bogovinës, në kuadër të njëvjetorit të punës së kryetarit Feti Abazi, ka vizituar edhe tri kompani që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të kësaj komune.

Gjatë vizitave, delegacioni është njohur nga afër me veprimtarinë e kompanive Frigoteknika 2000, BesaShop – Fati 2000 dhe Multipark Izairi / MPI Copper të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm të prodhimit dhe përpunimit.

Në Frigoteknika 2000, Mexhiti pa procesin e prodhimit të pajisjeve të ftohjes për sektorin tregtar, të cilat eksportohen edhe në tregjet evropiane. Ndërsa në BesaShop – Fati 2000 u njoh me procesin e riciklimit dhe përpunimit të materialeve inerte, të cilat ripërdoren në industrinë e ndërtimit.

Ndalesa e fundit ishte në Kamjan, në kompaninë Multipark Izairi / MPI Copper, ku prodhohen tela dhe gjysmëprodukte të bakrit për tregjet ndërkombëtare.

" "

“Takimet me drejtuesit e kompanive shërbyen për të diskutuar sfidat me të cilat përballen bizneset në procesin e prodhimit, si dhe nevojat për krijimin e kushteve për investime dhe zgjerim të mëtejshëm të veprimtarisë”, ka thënë Mexhiti.

Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe institucioneve qendrore, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e procedurave për bizneset.

Sipas Mexhitit, madje mbështetja e bizneseve vendore dhe krijimi i kushteve më të favorshme për zhvillimin e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në rritjen ekonomike të komunave.

sqShqip