May 9, 2024
Maqedoni

Mexhiti: Prej kur unë jam ministër, ju garantoj pacientëve se nuk ka pasur keqpërdorim

“Prej kur unë jam ministër, unë ju garantoj pacientëve se nuk ka pasur keqpërdorim, dyshimet janë për të kaluarën”, tha ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në Tv Shenja.

Mexhiti u bëri apel qytetarëve që për rastin me keqpërdorimet në Onkologjinë të mos spekulojnë sepse, do të dëmtohen pacientët me kancer të cilët do humbin besimin në mjekësinë vendase dhe do të kërkojnë alternativa tjera jashtë Onkologjisë.

“Apeloj që të ndërpriten spekulimet në opinion. Mos spekulohet se nuk është marrë terapija, pasi pacientët do të tentojnë të marrin fatin në duart e veta. T’ja lejmë organeve të hetuesisë që ta zbardhin rastin”, tha Mexhiti.

“Nuk do lejojmë që të gjithë mjekët e Onkologjisë të futen në një kosh”, tha ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në emisionin “Intervistë në Shenja”.

Duke folur për rastin e skandalit në Klinikën e Onkologjisë, Mexhiti rikonfirmoi se keqpërdorimi i ilaçeve për pacientët me kancer është bërë nga një infermiere të cilën e kanë përjashtuar nga puna. Ai shtoi se si ministër e ka inicuar hetimin e inspektoriatit shëndetësor në momentin që kanë lindur dyshimet e para për këtë rast. Mëxhiti poashtu tha se nuk mund të zbulojë më shumë detaje për rastin në fjalë për shkak të hetimeve që ende po vazhdojnë.