Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës fotografike “ŞAHİT OL – 30 vjet udhëtim në fotografi” të fotografit Engin Uzun, shqiptar me prejardhje nga Shkupi, e cila u hap në ambientet e Kurshumli Hanit.
Ekspozita përmbledh tri dekada të krijimtarisë artistike të Uzunit, duke sjellë përmes fotografisë njerëz, vende dhe rrëfime të ruajtura ndër vite si pjesë e kujtesës kulturore.
“Ashtu si Kurshumli Hani ka ruajtur në muret e tij gjurmët e kohës, edhe fotografia ruan çaste që ndryshe do t’i merrte me vete harresa. Historia nuk shkruhet vetëm në libra, por edhe në fytyra, vende dhe momente që objektivi arrin t’i bëjë të përjetshme,” deklaroi Mexhiti.
Mexhiti e përgëzoi Engin Uzunin për 30-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike, duke i uruar shërim të plotë, shëndet dhe forcë, si dhe vazhdimin e rrugëtimit të tij artistik edhe për shumë vite.

