May 3, 2024
Lajmet e rejaMaqedoni

Mexhiti: Këtu s’na solli inati por vullneti për ndryshim

Izet Mexhiti zyrtarizoi formimin e partisë së tij të re Lëvizjes Demokratike. Në fjalimin e tij, Mexhiti vendosi theksin te nevoja e ndryshimeve dhe e një opozite të fortë për të sfiduar pushtetin. Ai tha se formimi i subjektit të ri, nuk është rezultat i inateve.

“Nuk na solli këtu inati por koshienca, nuk na solli lakmia por na frymëzoi vullneti, nuk u bashkuam për të qenë kundër por për të qenë prijës, nuk u tubuam nga mllefi por nga entuziazmi nuk lëvizëm nga inercioni personal por nga vendosmëria të lëvizim gjërat përpara për të mirën e përgjithshme, përmes kontributit personal”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Mexhiti deklaroi se do të veprojë si opozitë bashkë me partitë e tjera opozitare shqiptare kurse për në të ardhmen nuk hodhi poshtë as mundësinë e bashkëpunimit me parti të tjera.

“Se me kë do të bashkëpunojmë, tani nuk e kemi shumë të rëndësishme. Ne tani formojmë strukturën dhe platformën tonë, duam takime me qytetarët për ta fituar mbështetjen e tyre dhe pas zgjedhjeve do ta shohim si do të vazhdojmë. Por jo me çdo kusht me secilin. Kushti i parë, nuk do të jemi me asnjë që nuk ka orientim pro-perëndimor dhe që nuk do të futet në procesin euro-integrues. Për të tjerat do të bisedojmë në tavolinë”, shtoi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Mexhiti nuk komentoi ish bashkëpunëtorët e tij të Grupit të zjarrit dhe kthimin e disa prej tyre në BDI. Nevzat Bejtën, Blerim Bexhetin dhe Musa Xhaferin, Mexhiti i falënderoi për kontributin e deritanishëm për të ngritur zërin për pakënaqësitë. /Alsat.mk