May 16, 2024
Maqedoni

Mersim Maksuti: Hyrja e ASH-së në qeveri, do të ndikojë pozitivisht edhe te deputetët e VMRO-DPMNE-së

Forcimi i shumicës parlamentare edhe më një aleatë të rinj qeveritarë do të ndikojë në radhët e deputetëve të tjerë të opozitës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, që të reflektojnë dhe të gjejnë forcën dhe kurajon e vullnetit të mirë për të votuar ndryshimet kushtetuese. Kështu vlerëson në një prononcim për Indeks.mk, profesori universitar Mersim Maksuti, duke folur mbi ndryshimet e nevojshme kushtetuese për futjen e bullgarëve në Preambullë, me qëllim që Maqedonia e Veriut të ec pa pengesa në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Besoj se në raport me çështjen e ndryshimeve kushtetuese, forcimi i qeverisë me një aleat të ri qeveritar, partinë ASH, do të ndikojë pozitivisht në radhët e deputetëve të tjerë të opozitës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE që të reflektojnë dhe të gjejnë forcën dhe kurajon e vullnetit të mirë për të votuar këto ndryshime kushtetuese. Koncepti dhe fryma euro-antlantike është opsioni i vetëm në rrugën e ardhmërisë së vendit tonë. Kam bindjen e plotë se kjo do të arrihet, por duke mos përjashtuar edhe opsionin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, si më pak e besueshme”, deklaroi Maksuti.