May 19, 2024
Diaspora

Mërgimtari tregon historinë e kurbetit: Me trup jam në Gjermani, me shpirt në Preshevë! (Video)

Shkollimin në Prishtinë, zemra në Preshevë dhe puna e tij është nëpër botë. Kjo është historia e Rahmi Mehmetit. Rahmiu ndau me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në Dritare TV historinë e suksesit të tij.

Ai ka përfunduar studimet në Prishtinë, por në vitin 1999 ka emigruar në SHBA, ku ka qëndruar për 14 vjet dhe më pas ka lënë Amerikën për t’u kthyer në Evropë. Rahmiu, bashkë me fëmijët e tij punojnë në Gjermani. Në Gjermani ai punon në aeroportin e Mynihut, ku falë përkushtimit të tij në punë ka marrë edhe një çmim si “Punëtori i vitit i Aeroportit të Mynihut”.

Rahmiu nga Presheva tregon historinë e kurbetit!

Me trup jam në Gjermani thotë Rahimi, por me shpirt në Preshevë. Por ëndrra më e madhe e Rahmiut është të shohë Shqipërinë e Madhe.

“Unë punoj në aeroportin e Mynihut që nga viti 2018 në një ndërmarrje hotelerie për ushqimet e shpejta. Po bëj 5 vite në Mynih, por kam ardhur këtu nga SHBA pasi mora nënshtetësinë atje. Në SHBA kam qenë që prej vitit 1999. Në fillim të vitit 2013 kam ardhur në Gjermani vetëm e më pas familja. Tani jemi e gjithë familja në Gjermani. Dy vajzat e mia dhe djali mbaruan studimet dhe vendosën që edhe ata të shpërngulen këtu. Vajza e madhe ka një fotostudio të sajën, vajza tjetër është recepsioniste në një hotel, edhe djali që ka përfunduar shkollën në SHBA për hoteleri është tani menaxher në aeroportin ku unë punoj.
Në Prishtinë kam përfunduar shkollën e mesme për veterinari e më pas kam vijuar me hotelerinë. Gjatë qëndrimit dhe punës në SHBA kam punuar në hoteleri.
Në dhjetor të vitit 2022 kam marrë çertifikatën e “punonjësit më të mirë të vitit” në aeroportin e Mynihut.
Nuk kam qenë i pasur, por me sakrificë i kam arritur qëllimet e mia. Largimi nga vendi dhe nga familja, largimi nga Presheva dhe puna me dokumenatcionin në emigrim ka qenë një rrugë e vështirë. Por, gruaja ka qenë ajo që më ka ndenjur pranë dhe ka mbështetur familjen tonë.”, tha Rahmiu në DritareTV. /K.C/dritare.net