May 7, 2024
Kolumna

Me shtrirjen e UT-së në Kumanovë, po laja një borxh moral ndaj çlirimtarëve, martirëve dhe heronjve

Shkruan: Vullnet Ameti, kryetar i Senatit të UT

Gjithmonë kam qenë i mendimit se për të rrëfyer duhet të krijohet distancë kohore. Është kjo një vijë e gjatë imagjinare e demarkacionit midis së kaluarës dhe së tashmes.

Kam pasur gjithmonë një etje të pashuar dhe preokupim intelektual nëse është krijuar distanca e nevojshme kohore që ditë pas dite dhe kohë pas kohe t’ia shpalosim publikut historinë e vërtetë të Universitetit të Tetovës dhe sigurisht që vend të veçantë në mozaikun e kësaj historie ka edhe qyteti i Kumanovës ku Universiteti i Tetovës ka shtrirje me një ndër fakultetet kyçe dhe substanciale.

Ka qenë rrugë shumë e vështirë shtrirja e Universitetit të Tetovës nëpër qytete, sidomos ku faktori shqiptar është ndeshur historikisht me një diskriminim sistematik, por kjo asnjëherë nuk ka shërbyer si arsye për letargji dhe mosveprim edhe pse perdja e hekurt ka qenë gjithmonë prezente.

Kjo arritje nuk ka shërbyer as si pretekst për duartrokitje dhe lavdi dhe me të drejtë e kishte Nietzsche te “Gjenalogjia e moralit” kur e citonte Takitin “novissima gloria cupido” “dëshira për lavdi është dobësia e fundit që duhet të flakin edhe më të mençurit”…

Edhe pse inaugurimi i objektit në Kumanovë ka qenë dëshirë e kahmotshme sidomos për faktin se aty ku kufijtë duken të pakapërcyeshëm, orvatjet e mia janë më të mëdha, edhe pas kësaj arritjeje nuk kisha oreks për lavdi sepse ritmi im i ecjes dhe vektori i orentimit është bazuar gjithmonë nën lustrën e ndritshme të idealit dhe shpërndarjes së dijes, prandaj gjithmonë kam apeluar në moton e “cri de coeur” me një thirrje imediate që Universiteti i Tetovës të shpërndajë idealin edhe në qytetin historik të Kumanovës dhe zonës së Karadakut.

Me inaugurimin e objektit të Fakultetit të Administrimit të Biznesit si pjesë përbërëse e Universitetit të Tetovës, ne vazhduam frymën e rilindësve tanë dhe me këtë vendim për të pasur një vatër dijeje në Kumanovë po laja një borxh moral ndaj çlirimtarëve, martirëve dhe heronjve që Kumanova dhe Likova i dhanë këtij populli.

Në vazhdën e këtij rrëfimi dua të shpreh mirënjohje dhe falënderime për pushtetin e atëhershëm të cilët luajtën rol shumë konstruktiv në këtë hap historik për arsimin shqip në vendin tonë, Octavio Paz fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1990 nënvizoi faktin që “njerëzit e kanë shqiptuar që nga agu i njerëzimit fjalën faleminderit” fjalë e cila ka ekuivalencë të njëjtë në çdo gjuhë dhe çdo rrethanë.

Pra, në esencë kjo fjalë shpreh mirënjohje dhe nuk është e rastit ndërthurja – dua t’i shpreh mirënjohjen time kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti falë vizionit të të cilit, arsimi shqip sot është i përhapur sidomos në vendet ku perdja e hekurt është dukur e pamundur për t’u mundur, por me bashkimin e urtësisë në mbrojtje të idealit dhe kauzës arritje të tilla janë të mundura.

Shndërrimi i kazermës në vatër dijeje që dikur paraqiste një episod tragjik dhe të errët në historinë shqiptare, sot është rreze drite. Kjo dhimbje atavike nga e kaluara më ka ndjekur gjithmonë, andaj këmbëngulja për ta shtrirë Universitetin e Tetovës pikërisht në këtë objekt, pra, ta shndërroj kazermën që dikur shërbente për persekutime, në tempull dijeje, ka qenë kahera në vegimet e mia dhe me këtë dua të dëshmoj që shumë gjëra të bukura mund të lindin si fryti i pezmit.

Fakulteti i Administrimit të Biznesit në Kumanovë çdo vit na bën krenarë me arritjet e gjeneratave të shkëlqyera dhe suksese si këto na bëjnë të kuptojmë që fara e mbjellur në vitin 2012, pikërisht në vitin e kthesës dhe riorientimit, realitet të cilin me shumë mburrje po e himnizoj me fakte, të dhëna, imazhe dhe histori që në të njëjtën kohë e portretizojnë edhe luftën dhe sfidat me të cilat është ndeshur udhëheqësia, tregojnë që ky objekt më shumë se imperativ i kohës qartazi paraqiste vizionin dhe orientimin tonë të palëkundur paçka se kritikët gjithmonë presin radhë për opinione meskine.

Me të drejtë e kishte Epikteti tek “Arti i të jetuarit” kur thoshte që: “Ndjekja e urtësisë tërheq kritikët dhe urtësia nuk tregohet me fjalë, por me vepra”…

Falë kësaj filozofie, kam qëndruar STOIK në vendimet dhe veprimet e mia.