Maqedoni

Mbetje kancerogjene përreth “Jugohromit”, mund të rrezikojnë edhe ujin që pinë shkupjanët

Në ujërat nëntokësorë përreth “Jugohromit” janë gjetur përbërje të kromit gjashtëvalent që është kancerogjen. Në storjen hulumtuese të emisionit 360 gradë vihet në dukje se në kodrat pas Kimiko Elektro Metalurgjik ka një sasi prej 7400 ton krom gjashtëvalent, mbetje nga funksionimi i këtij kombinati që gjendet në Jegunoc të Tetovës. Mbetjet po trajtohen, thonë nga Ministria e Mjedis Jetësor, por duke hasur në shumë probleme me sistemin e trajtimit. Ekspertët tashmë disa vite kanë alarmuar se rrezikohen burimet nëntokësore, konkretisht për burimin Rashçe nga ku me ujë furnizohet i gjithë kryeqyteti.

“Deponia industriale e Jugohromit gjendet në një pozitë të pafavorshme në raport me vendndodhjen e burimit Rashçe. Ndodhet në zonën e dytë mbrojtëse të burimit Rashçe dhe është në një vend ku ndotësi nga deponia mund të arrijë në burimin Rashçe”, deklaroi Zllatko Ilijovski- Instituti Ndërtimor.

Deponia është edhe nën mbikëqyrjen e “Ujësjellësit- Shkup”. Nëpërmjet kampioneve nga 60 puse ekzaminohen ujërat nëntokësore në dhe rreth Zhedenit. Për fat të mirë, tani për tani, kromi gjashtëvalent është vetëm në përqendrime në rritje rreth deponisë. Në laboratorin e “Ujësjellësit” në Shkup testohen mostrat e marra direkt nga burimi në Rashçe dhe çdo ditë nga 40 lokacione në mbarë Shkupin.

“Ne mund të garantojmë që banorët e Shkupit pinë ujë të sigurt dhe cilësor. Detyrimi ynë si kompani është të monitorojmë cilësinë e burimeve dhe kontrollet që bëhen rreth burimeve. Ato monitorohen rregullisht sipas një programi të caktuar katër herë në vit dhe nëse do të kishin diçka, sigurisht që ne do të reagonim”, tha Emilija Anevska-Udhëheqës i Sektorit për kontroll sanitar në NP “Ujësjellës Kanalizime Shkup”.

Përveç monitorimit të vazhdueshëm të burimit në Rashçe, “Ujësjellësi” i Shkupit po shqyrton edhe burimet alternative për furnizim me ujë të kryeqytetit, si Patishka Rekë e Kadinë. /Alsat.mk