May 5, 2024
Maqedoni

“Titanik II”, Prokuroria kërkon dënim me burg për Mijallkovin e Thaçin

Sasho Mijalkov, Menduh Thaçi dhe tjerët të shpallen fajtorë për parregullsitë zgjedhore dhe çdonjëri prej tyre, duhet të mbajë përgjegjësi sipas veprës së kryer. Kjo u kërkua nga prokurori publik Gavrill Bubevski sot para Gjykatës Penale në Shkup në fjalën përfundimtare për lëndën “Titanik 2”.

“Kërkojmë që t’i shpallni fajtorë dhe t’i dënoni për veprën penale të kryer, duke i vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese”, tha Gavril Bubevski, prokurorë publik.

Sipas Bubevskit, rrethanë rënduese për Sasho Mijalkov është shkalla e përgjegjësisë penale si dhe arsyet që kanë çuar deri në kryerjen e asaj vepre, që kundër tij udhëhiqen edhe vepra tjera penale si dhe faktin që Mijalkov veçse është i dënuar me vendim të plotfuqishëm.

Veprën e Menduh Thaçit e rëndon paramendimi direkt për kryerje të saj, ndërsa si rrethanë lehtësuese është konsideruar sjellja e tij ndaj gjykatës dhe prokurorisë.

Edhe pse lënda ka arritur në fjalët përfundimtare, shanset janë minimale që Mijalkov të përgjigjet penalisht. Lënda e Mijalkovit vjetërsohet në Prill, që të mos vijë deri në vjetërsim, deri në prill aktgjykimi duhet të bëhet i plotfuqishëm fillimisht nga Gjykata Penale, më pas, të dërgohet në Gjykatën e Apelit dhe pas kësaj, Apeli të vendosë për ankesat eventuale të palëve dhe në fund, të sjellë vendim. Sipas praktikës gjyqësore, kjo është e pamundur të përfundojë për vetëm 4 muaj.

Kjo lëndë po ri-gjykohet për shkak se paraprakisht Gjykata e Apelit kishte shfuqizuar aktgjykimet e Gjykatës së shkallës së parë, sot prokurori Gavril Bubevski kishte precizuar aktin e akuzës, i cili, ishte një ndër arsyet e shfuqizimit të aktgjykimit.

Ndryshe, sipas aktgjykimit të parë i cili u publikua më 8 mars të vitit 2019, të akuzuarit u dënuan me gjithsej 19 vjet e 8 muaj burg. Edhe atë, Sasho Mijalkov me 3 vjet burg, Menduh Thaçi me 3 vjet e dy muaj burg, Bedredin Ibraimi me 4 vjet e 6 muaj burg si dhe Anita Stefanova, Vllatko Stajkovski dhe Sasho Sërçev me nga 3 vjet burg.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete akuzohet për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”.

Nga përgjimet e publikuara nga ish kryeministri Zoran Zaev, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja, në favor të VMRO-së. Për këtë, Gjykata e Apelit kishte pranuar vetëm dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë. /Alsat.mk