May 9, 2024
Maqedoni

Maqedonia më e goditura nga kriza! Besimi: 4 vite të zhytur në spirale inflacioni

“Maqedonia e Veriut ishte vendi më i goditur në tregun e Evropës nga çmimet e larta”, e pranon Ministri i Financave Fatmir Besimi. Por ai thotë se nga tetori i vitit të kaluar kur inflacioni ishte 19,8%, tani është 6,6% dhe pritet të bie edhe më poshtë deri në fund të vitit. Besimi tha se që nga muaji prill ka pasur rritje të pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, por krizat e njëpasnjëshme ekonomike, financiare dhe energjetike për të vitin e katër me radhë kanë ndikuar në standardin e jetesës së qytetarëve.

“Në ekonomi ky proces është shumë i vështirë të menaxhohet sepse gjërat janë të ndërlidhura. Pagat ndikojnë ndaj shpenzimeve, shpenzimet ndikojnë ndaj çmimeve dhe çmimet ndikojnë ndaj standardit dhe e kundërta që krijon një rreth vicioz me rrezik ekonomik duke na vënë në një spirale të inflacionit. Por, ne përpiqemi ta stabilizojmë dhe nga muaji prill pagat janë rritur jo vetëm nominale por në mënyrë reale”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Me krizën globale po përballen edhe ekonomitë e mëdha. Gjermania si motori i ekonomisë së Evropës sivjet është në recesion. Por përfaqësuesja e bizneseve gjermane në Maqedoni, Antje Vandelt tha se recesioni i Gjermanisë nuk do të ndikoj në tregtinë mes dy vendeve. Ajo theksoi se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve në vitin 2022 ishte 4,8 miliard euro dhe duke e krahasuar me dhjetë vitet të fundit kjo shumë është trefishuar. Ajo në Shkup tha se investimet e kompanive gjermane janë infuzion për vendin.“Maqedonia është shumë e rëndësishme si treg furnitor në zinxhirin global të furnizimit sepse prodhimet në Maqedoni që vijnë nga investimet gjermane janë me vlerë të shtuar sepse ato kanë teknologji ultra moderne dhe përdoret teknikë mjaft e avancuar. Cilësia që ofron ky treg ndërlidhet me kualitet të lartë dhe kuadër të mirë kualifikuar”, deklaroi Antje Vandelt, Përfaqësuese bizneseve gjermane në MK.

Sigurisht, që përfitimi në këtë këmbim tregtar është shumë më i lartë nga shteti gjerman, kompanitë e të cilave ri investojnë kapitalin e fituar, duke përfituar nga masat e qeverisë për heqje nga tatimi të asaj shume. Sipas autoriteteve ekonomia e vendit mbetet e vobektë dhe shumë e varur nga tregu evropian. Mbi 160% e Bruto Prodhimit Vendor është tregti, prej të cilave 80% zhvillohet me Bashkimin Evropian, prej kësaj shifre të fundit gjysma e tregtisë realizohet vetëm me Gjermaninë thonë të dhënat zyrtare.