May 2, 2024
Maqedoni

Maqedonia e Veriut rrit buxhetin për investime kapitale

Mbi 600 milionë euro nga arka e shtetit do të shfrytëzohen për investime kapitale, ka bërë të ditur Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2022.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se investimet kapitale për vitin 2022 janë më të larta se deficiti buxhetor duke arritur në një vlerë prej 37.8 miliardë denarëve, që është rreth 27 për qind më shumë në krahasim me vitin 2021.

Ministri Besimi tha se në këtë mënyrë arrihet rregulli i artë në financat publike.

“Në vitin 2022, sipas të gjitha karakteristikave do të kemi ‘buxhet zhvillimor’. Komponenti zhvillimor i buxhetit, pasqyrohet përmes rritjes së mjeteve për shpenzime kapitale, rreth 27 për qind më shumë në krahasim me vitin 2021 ose 8 miliardë denarë më shumë parashihen në vitin 2022 për projekte kapitale. Shpenzimet kapitale, në vitin e ardhshëm, historikisht do të jenë në nivel më të lartë për 14 për qind nga shpenzimet e përgjithshme”, nënvizoi Besimi.

Afaristët: Realizimi i projekteve në vlerën që parasheh qeveria, joreal

Afaristët e kanë cilësuar si joreal realizimin e investimeve kapitale në vlerën e paraparë nga qeveria për 2022-ën.

Ata rikujtojnë se edhe gjatë këtij viti ishin paraparë 484 milionë euro investime kapitale, por deri në fund të shtatorit kanë arritur të realizohen vetëm 217 milionë euro, përkatësisht 45 për qind nga vlera e paraparë që përbën më pak se gjysmën e mjeteve të parapara.

“Kësaj radhe shpenzimet kapitale janë në një normë shumë më të lartë nga ajo që kemi pasur deri më tani, por duhet theksuar se kemi të bëjmë me një praktikë me qeverinë aktuale, edhe pse nuk kemi realizim të plotë të të njëjtave. Parë nga dimensioni kohor, shtatë apo tetë vjetët e fundit në asnjë vit investimet kapitale nuk kanë arritur te 80 përqindëshi i investimeve kapitale”, thotë se Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Investimet kapitale dështojnë sepse hartohen në kundërshtim me kapacitetet e institucioneve

Marija Zaerazankova nga Fakulteti i Ekonomisë në Shkup thotë se mungesa e planifikimit të projekteve kapitale në përputhje me kapacitetet e institucioneve për t’i realizuar ato, bën që projeksionet të mbeten vetëm si ambicie e qeverisë.

“Mungesë e vizionit se çka është me prioritet për t’u zhvilluar. Pra, e ritheksoj se në Maqedoni mungon analiza se çka është me prioritet kur kemi të bëjmë me konceptin zhvillimor”, thotë Zarezankova.

Ajo nënvizon se për të mos dështuar më shumë se gjysma, përkatësisht 50 përqindëshi i investimeve kapitale, institucionet duhet të jenë precize në kompilimin e projekteve kapitale, duke përfshirë ekspertë të fushës dhe jo prioritet të jenë ambiciet e ministrive të caktuara.