Maqedoni

OBRM-PDUKM fillon mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, filloi mbledhjen e firmave për formimin e shumicës së re. Nga partia e Hirstijan Mickoskit thonë se janë në proces të grumbullimit të 61 nënshkrimeve. Deri më tani kanë nënshkruar deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe ata të koalicionit Aleanca-Alternativa. Alsat tentoi të marr qëndrimin e Mickoskit i cili gjatë ditës qëndroi në Kuvend, por i njëjti nuk u ndal për prononcim.

Ndërkohë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se nuk mbështet siç i quajti akrobacionet dhe se sipas tij largimi i Zaevit do të hapte kutinë e Pandorës.

“Unë nuk dua të flas për situata hipotetike sepse çdo zgjidhje tjetër do të hapte kutinë e Pandorës. Unë nuk jam për akrobacione në këto momente kaq të rëndësishme për zhvillimet dhe proceset që ndodhin në vend”, tha Ali Ahmeti.

Partneri i koalicionit qeveritar me LSDM-në, Partia Liberal Demokrate kërkon veprim urgjent dhe të guximshëm të socialdemokratëve. Goran Milevski thotë se vonesat mund të sjellin një situatë të re.

“Shihet qartë se shumë po humbet kohë për të kumtuar mandatarin e ri dhe po paraqiten situata të reja të cilat ne vend të Qeverisë mund të na çojnë në zgjedhje të reja parlamentare”, u shpreh Goran Milevski, Kryetar i PLD-së.

Nga LSDM-ja sot njoftuan se akoma vazhdojnë konsultimet për riorganizimin e partisë. Sipas kësaj partie, dorëheqja e Zaevit nënkupton dorëheqjen e gjithë udhëheqjes partiake.

“Lidhur me spekulimet e dala në opinion, duam të ju njoftojmë se në përputhje me dispozitat statutare, me dorëheqjen e kryetarit të partisë pason dorëheqja e gjithë udhëheqjes partiake”, njoftojnë nga LSDM.

Në opinion vazhdojnë të lakohen emra të cilët mund ta zëvendësojnë Zaevin, në mesin e tyre është Lupço Nikollovski dhe Nikolla Dimitrov, ndërsa së fundi përmendet edhe emri i ambasadorit në NATO, Dane Talevski.