May 6, 2024
Maqedoni

Maqedonasi Joshko Cërvenkovski meret në pyetje për vrasjen e biznesmenit shqiptar

Shtetasi maqedonas Joshko Cërvenkovski i dyshuar si montues i bombës që u përdor në vrasjen e Vajdin Lamajt në vitin 2005, dëshmoi në gjykatë në gjyqin ndaj të fortëve të Tiranës Viktor Imerit, Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit. Pas seancës, ai është marrë në pyetje edhe nga SPAK, mesa duket për një hetim të ri të veçuar, dhe më pas është larguar i lirë nga gjykata.

Çervenkovski është përmendur nga bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi si personi që ka marrë 1600 euro për montimin e minës së përdorur në ekzekutimin e Vajdin Lamajt e Artan Arsit në pallatin pranë Parkut të Liqenit në Tiranë.

Shtetasi maqedonas, ishte kërkuar edhe më herët si dëshmitar në procesin ndaj Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit, me letërporosi duke qenë se ishte jashtë shtetit. SPAK nuk ka një koment mbi rrethanat dhe cilësinë në të cilën është pyetur maqedonasi i cili u largua i qetë nga gjykata me një automjet me targa të vendit të tij. I penduari Luftar Reçi, ka pretenduar se bomba fillimisht është kërkuar nga Lulzim Berisha, kreu i bandës së Durrësit. Më pas Reçi ka përmendur Indrit Taullain dhe Emiljano Shullazin si personat që janë marrë me eksplozivin, që ishte montuar në vilën e një të afërmi të Lul Berishës, nga Josho Cervenkovski. Biznesmeni i njohur Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi mbetën të vdekur nga shpërthimi në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë.