May 14, 2024
Kosovë

Mercedesi 100 mijë euro i vjedhur në Zvicër konfiskohet në Veriun e Mitrovicës

Polica e Kosovës ka njoftuar se të martën ka gjetur dhe konfiskuar një veturë të tipit Mercedes që ka qenë në kërkim nga autoritetet zvicerane, vlera e së cilës llogaritet të jetë mbi 100 mijë euro.

Sipas Policisë së Kosovës kjo është bërë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, pasi që Policia ka pranuar një informacion nga autoritetet e Policisë Federale të Zvicrës në lidhje me dyshimin se kjo veturë mund të jetë në territorin e Republikës së Kosovës.

“Përmes bashkëpunimit profesional me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), po ashtu edhe angazhimit të jashtëzakonshëm dhe veprimit të shpejtë e profesional, të zyrtarëve policorë nga DRP Mitrovicë Veri, më datë 10.10.2023 është arritur të gjendet dhe konfiskohet vetura e llojit Mercedes (vlera e përafërt mbi 100 000 €) e cila ishte në kërkim në Zvicër”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tashmë thuhet se rasti është duke u trajtuar konform procedurave ligjore nga njësitë përkatëse policore.