April 28, 2024
Maqedoni

Manifestimi tradicional Dita e Groshës në Komunën e Tearcës

Shkruan: Sadije Aliti

Grosha të promovohet si brend i rajonit
Tearca për herë të njëmbëdhjetë ishte nikoqire e manifestimit tradiconal Dita e Groshës. Nisma e këtij aktiviteti ishte në vjeshtën e para një dekade kur të rinjtë e këtij fshati në përkrahje të disa donatorëve nisën fillin e shënimit të këtij aksioni që mëton të mbetet tradicional.

Ky aktivitet njëherit hedh gjurmë edhe në të kaluarën e lashtë të këtyre trevave, kur ekzistenca e familjeve bëhej kryesisht nga prodhimet bujqësore e blegtorale. Në stinën e vjeshtës me grumbullimin dhe vjeljen e bereqetit të verës është përgatitur toka për mbjelljet e vjeshtës e për të siguruar ekzistencën e familjes për vitin e ardhshëm. Kjo ceremoni familjare është shënuar edhe me një darkë më solemne në shtëpi nga shtëpiaket dhe përgatitje të ëmbëlsirës që ka qenë një eveniment më i shënuar, kjo natë është dalluar nga netët tjera.
Letërsia popullore këto aktivitete i ka të evidentuara edhe si këngë të punës apo këngë të stinës që dikur kanë qenë manifestime e festa lokale për punët e bujqësisë.

Në kuadër të aktivitetit përveç ushqimeve të ndryshme popullore të pranishmit patën rastin të ndjekin edhe disa pika popullore të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në rajonin e Pollogut. Për shënimin e këtij aktiviteti u shfrytëzuan ambientet e shkollës fillore të Tearcës. Përgatitja e groshës dhe hallvës tradicionale janë ushqimi kryesor për të gjithë të pranishmit, por këtu u prezantuan edhe shumë lloje të tjera të hajeve tradicionale të ekspozuara në disa stenda të shkollave fillore të Komunës së Tearcës, si bakërdar, ndrejdhe, petë misri, kajmakçin, forulldak, gurabije, petulla e shumë ushqime e ëmbëlsira të tjera. Pati edhe vizatime të ndryshme me prodhime bujqësore që kultivohen nëPollog.
Në stenda të posaçme u ekspozuan edhe lloje të kulturave bujqësore që kultivohen në këtë rajon e që në stinën e vjeshtës vilet bereqeti i punuar gjatë verës.
Program kulturor e artistik nga Shoqëritë kulturore nga Tearca, Tetova dhe Bërvenica.
Njëherit poezi lexuan edhe Sadije Aliti, Behare Neziri, DaimIljazi nga Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum dhe Slavica Dabevska Kirovska.

“Qëllim kryesor i këtij aktiviteti është promovim i vlerave të ndryshme kulturore përmes ushqimeve dhe traditave të ndryshme popullore, si dhe synim kah brendimi dhe eksportimi i prodhimeve të ndryshme bujqësore në rajonet tjera të shtetit por edhe jashtë, të promovohet si brend i rajonit”-theksoi Metin Muharemi, Drejtor i Qendrës për edukim dhe zhvill(CED).
NuhiNeziri, kryetar i Komunës së Tearcës, tha se ky manifestim për çdo vit ritet dhe bëhet më madhështor. “Jemi prezent të një eveniment i cili përgatitet nga produktet bujqësore që kultivohen këto pasuri në tokat tona të komunës sonë e më gjerë, gjithashtu u prezantuan edhe fondet që ndihmojnë bujqit, fermerët e blegtorët e rajonit. Ne si Komunë çdoherë do t’i përkrahim aktivitetet e këtilla”-theksoi NuhiNeziri.
Komuna e Tearcës është komunë agrare e cila ka nevojë për këto projekte të cilat ndihmojnë në realizimin e programit zhvillimor të komunës, prandaj edhe komuna i mbështet këto aktivitete.
Ky projekt shënon edhe specifikën dhe lloj-llojshmërinë, laramanin e këtij rajoni në aspektin e multikulturor bashkë me traditat e tyre duke u nisur nga ushqimet e deri te kultura tradita dhe folklori. Njëherit këto aktivitete mundësojnë edhe një reklamim dhe prezentimin më të madh të rajonit dhe pasurive natyrore.