Raportet e ftohura mes Edi Ramës e Albin Kurtit erdhën në shprehje edhe në Manastir me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit. Edhe pse të dy ishin në Manastir, nuk zhvilluan një takim të përbashkët, kurse ardhja e Kurtit thuajse u përputh me largimin e Ramës, transmeton portali Lideri.mk dhe prej këtu edhe titulli “Iku Edvini (Rama), mbërriini Albini.
Paraditja e 22 Nëntorit në qytetin e Alfabetit i takoi kryeministrit të Shqipërisë, kurse pasditja kryeministrit të Kosovës, kur erdhi në shprehje edhe një herë afërsia e tij me udhëheqësinë e VLEN-it (afërsia e Ramës me mikun e tij të kahershëm Ali Ahmeti, nuk erdhi shumë në shprehje paraprakisht si herave tjera).
Lidhur me këtë ka raportuar edhe Top Channel, e tekstin e tyre me titull “Rama dhe Kurti dje në Manastir për Ditën e Alfabetit me agjenda të ndara, dy kryeministrat shmangin njëri-tjetrin” e sjellim në vijim:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë qenë të dy në Manastir të Maqedonisë së Veriut, më 22 nëntor, me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, por nuk kanë zhvilluar asnjë takim mes tyre.
Pavarësisht se ndodheshin në të njëjtin qytet për të shënuar Ditën e Alfabetit, dy kryeministrat ndoqën agjenda të ndara dhe nuk u panë së bashku në aktivitetet e organizuara.
Edi Rama vizitoi Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip, ku mbajti një fjalim për rëndësinë e gjuhës shqipe dhe kontributin e Kongresit të Manastirit në bashkimin kulturor të shqiptarëve. Gjatë kësaj vizite, ai propozoi edhe krijimin e një biblioteke digjitale me libra në gjuhën shqipe, në shërbim të fëmijëve dhe mësuesve shqiptarë kudo në botë.
Gjatë qëndrimit në Manastir, Rama zhvilloi takime me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.
Nga ana tjetër, Albin Kurti zhvilloi takim me Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, ku diskutoi për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin e shqiptarëve dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Edhe aktivitetet e mbrëmjes i gjetën dy kryeministrat në rrugë të ndryshme. Kurti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare, ku mbajti edhe një fjalim. Ndërkaq, Rama nuk ishte i pranishëm dhe në emër të Shqipërisë foli ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja.

