Makron:Franca krah për krah me Izraelin
Presidenti i Francës, Emanuel Makron u zotua se nuk do ta lërë Izraelin vetëm në luftën kundër militantëve, por paralajmëroi për rreziqet e përshkallëzimit të luftës në konflikt rajonal. Pasi u takua me familjet e viktimave franceze në aeroportin e Tel Avivit, Makron tha gjatë një bisede me presidentin e Izraelit se Franca qëndron “krah për krah” me Izraelin dhe se synimi i parë duhet të jetë lirimi i pengjeve në Rripin e Gazës. Përtej solidaritetit me Izraelin, Makron shkoi atje me synimin për të bërë propozime që janë sa më të arritshme për ta parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, për t’i liruar pengjet dhe për ta garantuar sigurinë e Izraelit dhe punën drejt një zgjidhje, thanë këshilltarët e tij. Sipas tyre, gjatë vizitës së tij Makroni do të bëjë përpjekje për një armëpushim humanitar. Vizita e Macronit në Izrael vjen një ditë pasi ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për një ndërprerje humanitare të luftimeve mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, në mënyrë që të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare për civilët në Gazë.