May 5, 2024
Rajon - Botë

Makron:Franca krah për krah me Izraelin

Presidenti i Francës, Emanuel Makron u zotua se nuk do ta lërë Izraelin vetëm në luftën kundër militantëve, por paralajmëroi për rreziqet e përshkallëzimit të luftës në konflikt rajonal. Pasi u takua me familjet e viktimave franceze në aeroportin e Tel Avivit, Makron tha gjatë një bisede me presidentin e Izraelit se Franca qëndron “krah për krah” me Izraelin dhe se synimi i parë duhet të jetë lirimi i pengjeve në Rripin e Gazës. Përtej solidaritetit me Izraelin, Makron shkoi atje me synimin për të bërë propozime që janë sa më të arritshme për ta parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, për t’i liruar pengjet dhe për ta garantuar sigurinë e Izraelit dhe punën drejt një zgjidhje, thanë këshilltarët e tij. Sipas tyre, gjatë vizitës së tij Makroni do të bëjë përpjekje për një armëpushim humanitar. Vizita e Macronit në Izrael vjen një ditë pasi ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për një ndërprerje humanitare të luftimeve mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, në mënyrë që të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare për civilët në Gazë.

“Dëshiroj që të jeni të sigurt se ne qëndrojmë krah për krah me ju dhe kombin tuaj dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të rivendosur paqen, sigurinë dhe stabilitetin për vendin tuaj dhe gjithë rajonin. Kjo është arsyeja se përse ne ua kemi përcjellë disa mesazhe edhe grupeve të tjera terroriste që synojnë ose duan t’i bashkohen këtij operacioni”, deklaroi Emanuel Makron, President i Francës.