April 29, 2024
Rajon - Botë

Lukashenko thotë se do të përdorte armët bërthamore ruse pa lejen e Putinit

Presidenti i Bjellorusisë ka thënë se nuk do të hezitonte të përdorte armët bërthamore ruse nëse vendi përballet me agresion.

Vladimir Putin planifikon të zhvendosë armët bërthamore taktike në objektet e magazinimit në shtetin bjellorus.

Ai kishte theksuar se Rusia do të ketë të drejtën legjitime për t’i përdorur, por Alexander Lukashenko thotë të kundërtën.

“Zoti mos ta bëjë punën që të marr vendim për t’i përdorur ato armë sot, por nuk do të hezitoja për asnjë moment nëse përballemi me një agresion”, tha lideri bjellorus.

Ai bëri të ditur se personalisht i kërkoi Putinit të vendoste armë bërthamore për të penguar agresionin e mundshëm.

“Unë besoj se askush nuk do të ishte i gatshëm të luftonte me një vend që ka ato armë”, pohoi Lukashenko.

Armët bërthamore taktike janë të ndryshme nga kokat bërthamore të pajisura me raketa balistike ndërkontinentale. Të parat synojnë të shkatërrojnë trupat dhe armët e armikut në fushën e betejës, në vend që të zhdukin qytete të tëra.