LSM-ja proteston para Gjykatës Supreme, kërkon kthimin e godinës së punëtorëve
Ne nuk kërkojmë të dëgjohen dëshirat tona, por të respektohen ligjet dhe mundi i punëtorëve, thonë nga Lidhja e Sindikatave në protestën e tyre para Gjykatës Supreme. Nga Sindikata kërkojnë që më së voni deri më 1 maj të hiqet aktvendimi që është marrë në dëm të punëtorëve. Nëse gjykatësit hynë në shtëpinë tonë, atëherë punëtorët do të hyjnë në shtëpinë e tyre, thonë sindikalistët. Dëshmi se godina u takon punëtorëve është fakti se shteti nuk ka ndarë as edhe një denar për ndërtimin e asaj godine, thotë kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov.
“3 gjykatës nga Gjykata Supreme sollën vendimin për konfiskimin e shtëpisë së punëtorëve. Lidhja e Sindikatave ka marrë të gjitha masat e mundshme, kemi kërkuar propozim për përsëritje të vendimit gjyqësor ku më 18 prill presim të jetë seanca dhe Gjykata Supreme deri më 1 maj të sjellë vendim në bazë të dëshmive që kemi dhe t’ua kthejë atë godinë punëtorëve. Jemi këtu që t’u kujtojmë gjykatësve se duhet të respektohen të drejtat dhe ligjet. Ne do të vijmë në shtëpinë e tyre, nëse ata dëshirojnë të rrinë në shtëpinë tonë.”, – theksoi Sllobodan Trendafilov nga Lidhja e Sindikatave.
Më 9 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Supreme miratoi një vendim sipas të cilit godina e LSM-së kalon në duart e shtetit. Sindikata kërkon përsëritjen e procedurës dhe rikujton se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që në vitin 1992 dhe ka pasur një vendim në favor të punëtorëve nga Gjykata Supreme në vitin 2004./TVM2