May 15, 2024
Maqedoni

Listat zgjedhore për deputetë, sot afati i fundit për dorëzimin e listave në KShZ

Partitë politike dhe koalicionet më së voni deri në mesnatë të 2 prillit, kanë afatin e fundit për t’i dorëzuar listat e deputetëve në Komisionin Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit, ndërsa e para që ka dorëzuar listat është LSDM-ja. KShZ-ja në afat prej 24 orëve duhet të konstatojë nëse listat janë dorëzuar në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nëse i plotësojnë kushtet e parapara me Ligj dhe Kushtetutë. Radhitjen e kandidatëve në listën e kandidatëve e përcakton KShZ-ja me shortin që duhet të mbahet më së voni më 13 prill dhe ai numër është i njëjtë në të gjitha njësitë zgjedhore.
Në zonën e parë kundër Blerim Bexhetit të koalicionit Fronti Evropian do të jetë Izet Mexhiti nga VLEN. Në zonën e dytë zgjedhore kundër Sadulla Durakut do të jetë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Në zonën e tretë për Frontin Evropian bartës liste do të jetë Sulejman Baki, në zonën e katërt Enver Husein, ku në këto dy zona edhe koalicioni VLEN do të ketë kandidat. Në zonën e pestë zgjedhore nga VLEN do të jetë Sali Sulejman, kundër Ziadin Selës të Frontit Evropian. Ndërsa gara më e nxehtë pritet të jetë në zonën e gjashtë zgjedhore ku do të përballet kreu i  BDI-së, Ali Ahmeti, me kreun aktual të Tetovës dhe njëherit kryetarin e Besës, Bilall Kasamin. Listat e plota i promovoi edhe koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa bartësit në gjashtë zonat zgjedhore janë Hristijan Mickoski, Vllado Misajllovski, Dragan Kovaçki, Aleksandar Nikoloski, Gjorgija Sajkovski dhe Dafina Stojanoska. Kundërshtari i Mickoskit në zonën një do të jetë kreu i Socialdemokratëve, Dimitar Kovaçevski. Bartësit e listës për LSDM-në janë edhe Oliver Spasovski, Sanja Lukarevska, Venko Filipçe, Jovan Mitreski dhe Sllavjanka Petrovska.
Në zgjedhjet parlamentare, sipas asaj që është paralajmëruar deri më tani, qytetarët do të mund të zgjedhin nga të paktën shtatë lista të kandidatëve në secilën prej gjashtë njësive zgjedhore. Ato janë propozuar nga pesë koalicione, si dhe nga dy parti që do të marrin pjesë të pavarura në zgjedhje. Me këtë të paktën 840 kandidatë po hyjnë në garë për të plotësuar 120 vendet në përbërjen e ardhshme parlamentare që duhet të formohet pas zgjedhjeve të 8 majit.
Partitë tjera më të vogla kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka publikuar zyrtarisht lista. Disa nga partitë politike kanë shpalosur programet e tyre, ndërsa disa prej tyre do ta bëjnë atë në ditët në vijim. Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare do të nisë më 18 prill dhe do të përkojë për disa ditë me fushatën për zgjedhjen e presidentit që fillon më 4 prill.