May 4, 2024
Maqedoni

Kandidatët presidencial nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte

Gjashtë kandidatët për president nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Ata zotohen se gjatë fushatës do të sillen sipas parimeve demokratike dhe rregullativave. Shumica e kandidatëve kërkuan organizimin e debateve.
“Po zotohem përpara të gjithë qytetarëve se në mundësitë e mia, fushata ime do të jetë pozitive, do të jetë korrekte, do të jetë konstruktive. Në asnjë mënyrë nuk do të shkel cilindo ligj ose rregull që ka përcaktuar KShZ-ja ose që është në kundërshtim me vlerat e etikës politike.”, – deklaroi kandidati për president i BDI-së, Bujar Osmani.
“Shpresoj se këto zgjedhje do të jenë më korrekte dhe më demokratike së paku nga vitet e kaluara. Nuk varet kjo prej neve opozitarëve, por më shumë varet nga partitë që janë në pushtet. Shumë varet nga organizatorët e zgjedhjeve, nga pushteti qendror. Edhe ne kemi pak pushtet lokal, por mund të kemi më pak ndikim. Besoj se do t’u përmbahemi të gjitha rregullave që po nënshkruajmë.”, – theksoi kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari.
Edhe kandidati i LSDM-së, presidenti aktual, u zotua për fushatë pozitive.
“Jam i bindur se si shtet kemi memorie të mjaftueshme institucionale  si shtet dhe kulturë politike të mjaftueshme mes kandidatëve për ta mbajtur nivelin e debatit dhe i tërë procesi të jetë korrekt dhe demokratik dhe jam i bindur se nuk do të prishet  integriteti i zgjedhjeve dhe sikur para pesë viteve nuk do të jetë kontestues as rezultati zgjedhor.”, – u shpreh kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
Për kandidatët e VMRO-DPMNE-së, të Majtës dhe koalicionit e DI, nënshkrimi i këtij kodi është protokollar dhe i një forme pabazë.
“Posaçërisht problematike do të jetë t’i përmbaheni Kodeksit për zgjedhje të lira kur bëhet fjalë për kandidat me status të lartë në shtet të cilët përdorin resurse shtetërore. Do t’i respektoj të gjithë kandidatët e posaçërisht kandidaten tjetër. Më vjen mirë që jemi dy femra, që dëshmon se edhe femrat mund të garojnë për pozicione të larta në vend.”, – deklaroi kandidatja për presidente e VMRO- DPMNE – së, Gordana Siljanovska Davkova.
“Unë pa dilemë do ta nënshkruaj këtë Kodeks,  por e vlerësoj si akt protokollar. Sidoqoftë, unë nuk besoj në këtë copë letër. Në shtetin ku nuk respektohet Kushtetuta, ne këtu me fjalë të mira do të themi se fushata do të zhvillohet në nivel të lartë moral dhe politik.”, – theksoi kandidatja presidenciale e së Majtës, Biljana Vankovska.
“KShZ-ja mundet dhe ka kompetencë të tillë të hyjë në nënshkrimet e evidentuara dhe të bëjë analiza thelbësore se sa numër i njerëzve  të punësuar në administratë shtetërore dhe publike janë nënshkruar për ne kandidatët dhe me këtë dyshimi të hidhet poshtë.”, – u shpreh Maksim Dimitrievski nga Lëvizja “E di”.
Kodin nuk e nënshkroi Stevço Jakimovski. Sipas tij mjetet për kandidatët  nuk janë ndarë në mënyrë të barabartë.
“Kur t’i ndajmë shohim se nënshkrimi i qytetarëve i dhënë për ta  vlen 97.5 euro, ndërsa  nënshkrimi për ne 12.6 euro. E sigurisht që duhet të flasim për zgjedhje fer dhe demokratike? Ja edhe këtë do ta gëlltisim.”, – deklaroi kandidati për president i Opsionit për Maqedoninë, Stevço Jakimovski, transmeton TVM2.
Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 24 prill dhe I dyti më 8 maj, bashkë me parlamentaret.