May 17, 2024
Maqedoni

Fakulteti Pedagogjik i UShT-së shënon Ditën botërore të autizmit

Me moton “Ta njohim autizmin – nga studentët për studentët”, Fakultetit Pedagogjik i Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën botërore  për autizmin. Me këtë rast dekani i Fakultetit Pedagogjik, Lulzim Memedi, tha se autizmi është vetëm një aspekt identiteti të një individi, por duhet që t’i gëzojë të gjitha të drejtat si i gëzon e gjithë shoqëria, transmeton TVM2.
“Sot jemi mbledhur për të shënuar Ditën botërore të autizmit dhe për të dhënë një mesazh se autizmi është vetëm një aspekt i identitetit të një individi dhe secili individ meriton të pranohet dhe t’i jepet mundësia për t’u kyçur dhe të jetë i lumtur. Në këtë drejtim studentët kanë përgatitur një aktivitet përmes së cilit aktivitet më për së afërmi njihemi me autizmin.”, – deklaroi dekani i Fakultetit Pedagogjik, Lulzim Memedi.
Nuk kanë munguar edhe aktivitete nga komuna e Tetovës ku bashkë me nxënësit e shkollave fillore  në sheshin “Iliria“ në Tetovë  kanë organizuar aktivitete të ndryshme për Ditën botërore të autizmit. I pari i Tetovës, Bilall Kasami, bëri thirrje te të gjitha institucionet e vendit që të punojnë sa më shumë sa i përket autizmit, që siç thotë ai, të gjithë fëmijët duhet të ndjehen të barabartë.
“Në ditën botërore të autizmit ne duam të tregojmë se çdo anëtar i shoqërisë tonë është i rëndësishëm, çdo fëmijë ka vlerën e vet edhe ne duam ata t’i vlerësojmë me të gjithë dallimet që i kanë edhe të gjithë specifikat që i kanë.”, – theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Përndryshe në vendin tonë kjo sëmundje është në rritje, por ka edhe shumë raste ku prindërit nuk i tregojnë dhe mundohen t’i mbajnë të fshehur nga të tjerët. Ndërkohë shteti nuk është se u del shumë në ndihmë këtyre personave, por barra me e madhe i ngelet familjes.