May 4, 2024
Maqedoni

Lidhja Evropiane për Ndryshim: Qytetarët vuajnë nga bizneset e lojërave të fatit të BDI-së

Koalicioni opozitar Lidhja Evropian për Ndryshim kërkon dorëheqjen e Artan Grubit dhe drejtorit të Lotarisë Shtetëror, Përparim Bajrami ndërsa organet kompetente të veprojnë për shpërdorimet e bëra.
Nga opozita thonë se BDI-ja nga një parti që ishte simbol i luftës për të drejtat e shqiptarëve, u shndërrua në një parti të përfshirë në pazaret e lojërave të fatit.
Ja dhe reagimi i plotë:
Sot, jemi sërish para zyrave të Lotarisë Shtetërore, e cila së shpejti do të zgjerohet me zyre të reja edhe në zonën industriale të Vizbegut.
Ky institucion është simbol i turpit të kryesisë aktuale të BDI-së.
Nga një parti që ishte simbol i luftës për të drejtat e shqiptarëve, u shndërrua në një parti të përfshirë në pazaret e lojërave të fatit.
Fatkeqësisht, sot BDI më shuмë i ngjan një oktapodi te biznesit që ka zhvilluar në perfeksion të gjitha mekanizmat për thithjen e parasë publike.
Të gjitha angazhimet deklarative për anëtarësim të plotë në BE, respektimi i miqësive tona strategjike ndërkombëtare janë vetëm se fasadë për interesat e tyre personale dhe partiake të biznesit.
Pas gjithçkaje që ne dhe mediat njoftuam se po ndodhte në Lotarinë Shtetërore, deri më tani prisnim dorëheqje nga Artan Grubi, dhe ish-asistenti i tij Parparim Bajrami si dhe të veprojnë organet kompetente shtetërore.
Pasi që asgjë nga këto nuk ndodhi, si Lidhje Europiane për Ndryshim njoftojmë opinionin e gjërë se në periudhën e ardhshme do të shpalosim edhe më shumë përfshirjen e kryesisë së BDI-së në biznesin e lojërave të fatit.
Le të bëjmë një përmbledhje.
Qeveria ka para për qira për Lotarinë shtetërore në vlerë prej 2.6 milionë euro për djalin e Pucko Petrol, biznes partnerin e dhëndrit të Ali Ahmetit, por nuk ka para për qendër për të sëmurët me fibrozë cistike, në fakt për këtë ata kërkojnë donacion!
Ata kanë para që përmes Lotarisë Shtetërore të blejnë karrige të reja në të cilat ata që hyjnë në kazino do të humbasin të gjitha fitimet dhe paratë e marra nga kreditë e shpejta, ndërsa për të burgosurit ka vetëm një dyshek të ftohtë në dysheme!
Qeveria ka para për terminale të reja moderne VLT, por nuk ka para për pajisje sensorike për diabetikët!
Ata kanë para për furnizimin e ekraneve reklamuese LED që kanë vlerë milionëshe të cilat i shohim gjithandej të ndezura në të gjithë qytetin, ndërkaq assesi nuk po përfundon furnizimi me ilaçin trikafta.
Për EUROVIA-n ka para për qira në vlerë prej 250 mijë euro, ndërsa për studentët mezi 2.5 euro për shujtën ditore!
Një gjë është e qartë si dita, kur Artan Grubi ka interes, ka para, kur qytetarët kanë nevojë, nuk ka para.
Çdo ditë mijëra nëna qajnë sepse fëmijët e tyre janë larguar ose po shkojnë jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë.
Ndërsa familjet e ndershme vuajnë, disa klane po pasurohen verbërisht në kurrizin e qytetarëve. Ata sillen sikur Buxhetin e Shtetit e kanë trashëgimi nga baba. Mjaft me!
Lidhja Evropiane për Ndryshim njofton se kur qytetarët do të na japin besimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme, do të pastrojmë institucionalisht të gjitha rastet kur ka dyshime të bazuara për pastrim parash, konflikt interesi, manipulim tenderash dhe tregtim me ndikim politik për përfitime individuale dhe partiake.