May 17, 2024
Maqedoni

LEN bojkoton punën e kuvendit pa anëtarin e KSHZ-së: Me jetë do të mbrojmë votën! (Video)

Grupi parlamentar i Lidhjes Europiane për Ndryshim nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit, gjithnjë derisa kandidati për KSHZ, Abdush Demiri, nuk do të vihet në rend dite në seancë plenare. Kështu kanë deklaruar nga LEN, duke shtuar se me këtë veprim të tyre ata mbrojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike.
“Nëse edhe pas kësaj kjo shumicë dhe kryetari i Kuvendit vazhdojnë ta sabotojnë të drejtën tonë për anëtar të KSHZ-së, ne do të jemi të detyruar t’i ashpërsojmë masat e kundërshtimit. Se a do t’i bllokojmë vendvotimet në Çair dhe në Tetovë apo do të ketë ndonjë masë edhe më radikale, këtë do ta shqyrtojmë brenda koalicionit, por derisa kjo shumicë sillet me arrogancë ndaj një të drejte ligjore, ndërsa institucionet e drejtësisë e bëjnë të shurdhëtin, ne nuk ndjejmë më asnjë detyrim ndaj askujt”, ka deklaruar deputetja e Alternativës, Safije Sadiku.
Ajo ka shtuar se LEN me asnjë çmim nuk do të lejojnë mbushjen e kutive.
“Le t’ia mendojë ky pushtet se kush humb nga kjo! Nëse dikujt i konvenon krizë politike dhe tensione, le të dihet se shkaktari i asaj gjendjeje do të jetë qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Që këtu u apelojmë edhe aleatëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe shteteve të BE-së, që ta ndalojnë këtë uzurpim të KSHZ-së, që e imponon BDI-ja, e cila duke dashur të shpëtojë nga humbja, dëshiron të shkaktojnë tensione, ndërsa fajin t’ia lërë dikujt tjetër. Kjo metodë nuk kalon më. Është turp për një vend anëtar të NATO-s, i cili pret t’i fillojë negociatat për aderim në BE, ta problematizojë një çështje kaq të qartë dhe të ligjshme vetëm për shkak se BDI-ja nuk dëshiron të shkojë në opozitë”, ka deklaruar më tej deputetja Sadiku.

Video: https://www.facebook.com/share/v/4LTVZpjQuvKU6V3d/?mibextid=WC7FNe