May 20, 2024
MaqedoniSport

Lazim Destani: Shkëndija u prit me flamuj kombëtarë në Zvicër (Foto)

Kënaqësi të veçantë e plot emocion na solli mbrëmë ndeshja miqësore e futbollit Wil – Shkëndija në Zvicër. Kjo nuk ishte thjesht një ndeshje e zakonshme miqësore mes dy skuadrash por më shumë se kaq. Ashtu siç e prisja, këtu gjeta një festë të vërtetë, një atmosferë madhështore, me tribunat e stadiumit të mbushura përplot nga bashkatdhetarët tanë.
Dy orë para fillimit të ndeshjes nisi festa. Për të performuar këtu kishte ardhur enkas nga Tetova Shoqëria Kulturo-Artistike ‘Xheladin Zeqiri’ dhe Grupi i njohur muzikor ‘Elita 5’. Këtu u hodh vallja dhe jehoi kënga shqipe, e ndjekur nga mijëra bashkatdhetarë që i kishin stolisur tribunat e stadiumit me flamujt kombëtarë. Dhe për t’ia shtuar bukurinë kësaj feste aty ishin dhe mundësit (pehlivanat) në mesin e të cilëve po e veçoj kampionin botëror, Shaban Tërstena.

Atmosfera festive nuk ishte vetëm brenda stadiumit, ajo ndihej madje edhe nëpër rrugët e Wil-it dhe të krijonte ndjesinë si të ishe në ndonjë qytet në viset tona! Kjo ndeshje e Shkëndijës i mblodhi në këtë qytet zviceran gjithë ata bashkatdhetarë që vinin nga të gjitha trojet tona. Dhe kjo atmosferë e këndshme, ashtu si gjithë të tjerëve, më solli gëzim të papërshkrueshëm.
Organizatorët i falënderoj përzemërsisht për ftesën si dhe për kontributin e tyre për t’i sjellë një ditë të këtillë festive komunitetit të diasporës sonë në Zvicër. Në veçanti falënderoj imamin e xhamisë së Wil-it Bekim Alimi dhe stafin e tij, si dhe anëtarin e Bordit të FC Wil, Faton Ramadani.