Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje po i diskriminon komunat që nuk udhëhiqen nga kjo parti.
Latifi tha në protestën e kryetarëve të komunave se “mjetet publike u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës – ato nuk janë të një partie politike”.
“Qytetari nuk duhet të dënohet për mënyrën se si ka votuar”, tha ai.
Latifi tha se “disa komuna po përfitojnë shuma shumëfish më të larta për banorë”.
“Ndarja duhet të bëhet në bazë të popullsisë, territorit dhe nevojave”, tha ai.
Latifi tha se s’po kërkojnë “asgjë më shumë” sesa “drejtësi dhe respektim të ligjit”.
Kryetarë komunash janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të protestuar, duke kërkuar mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimin e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimin e normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.

