May 9, 2024
Maqedoni

Lamtumira e fundit për veteranin e arsimit, Nusret Shabani

Sot u nda nga jeta veterani i njohur i arsimit në rrethinën e Kumanovës dhe Likovës, Nusret Shabani nga fshati Likovë.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët: “Të nderuar miq e familjarë, bashkëfshatarë, arsimtarë e arsimdashës, dhe gjithë ata të cilat e kanë njohur, babain, vëllain, xhaxhain tonë, arsimtarin e veprimtarin Nusret Shabani.
Fillimisht na lejoni që në emër të familjes të shprehim falënderime për praninë tuaj sot bashkë me ne në këto momente dhimbje e pikëllimi të thellë kur kumtojmë ndarjen nga jeta të prindit e familjarit tonë të dashur dhe të respektuar.
Ndërsa, ne sot po ashtu kujtojmë me krenari jetën dhe veprën e tij, të bujshme dhe të çmuar,
prej familjari, mësuesi dhe një njeriu të urtë e të kulturuar,
që pavarësisht vështirësive dhe sfidave të kohës dhe për kombin tonë, qëndroi gjithmonë në rrugën e drejtë, të dritës e të arsimit, me nder dhe respekt, duke punuar palodhshëm dhe duke kontribuar për shumë gjenerata, e në veçanti fëmijët dhe të rinjtë shqiptar anë e mbanë vendit”.

Nusret Shabani u lind më 18 dhjetor 1945 në Likovë, ku edhe tërë jetën e tij ka jetuar dhe vepruar. Shkollën fillore e mbaroi në Likovë, shkollën e mesme – normalen për mësues e kreu në Kumanovë, ndërsa në Prishtinë ka diplomuar në fakultetin pedagogjik. Thirrjen magjistër e mori në fakultetin pedagogjik në Shkup.
Nusret Shabani ishte një njeri i cili një jetë të tërë ia dedikoi arsimit shqip duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e gjeneratave të tëra në frymën njerëzore dhe kombëtare.
Ai fillimisht ka punuar si arsimtar ndërsa më vonë edhe si këshilltar shtetëror dhe udhëheqës pranë Byros për zhvillimin e arsimit. Ai është edhe autor i disa librave dhe teksteve shkollore.
Nusret Shabani për më shumë nuk jetoi vetëm si arsimtar dhe arsimdashës, por edhe si një veprimtar dhe aktivist duke qenë pjesë e lëvizjeve dhe iniciativave popullore, ndërsa përmes angazhimeve dhe projekteve të ndryshme ka kontribuar shumë në avancimin e pozitës së të rinjëve, arsimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë në të gjitha trojet.
Ndërsa në gjirin familjarë ai ishte shtylla kryesore për mbështetje, udhë-rrëfim dhe shembull për mirësinë dhe urtësinë që kishte.

“Në këtë ditë, nuk ka mjaft fjalë për të shprehur mirënjohjen dhe nderin që ia kemi axhës Nusret,
se sa i çmuar e i rëndësishëm ka qenë ai për ne, dhe shoqërinë tonë ndërsa i përjetshëm do të jetë kujtimi për jetën dhe veprën e tij. Axha Nusret, u prehsh në paqe dhe inshallah Allahu të shpërblen me xhenet dhe gjitha të mirat e tij.
Amin!”, thuhet në mesazhin lamtumirës të familjarëve.(INA)