Komisioni parlamentar për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ka miratuar propozimin për uljen e koeficientëve që përdoren për llogaritjen e pagave të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar, përcjell tetova1.

Propozimi vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizua baza fikse për llogaritjen e pagave të funksionarëve. Me këtë ndryshim u krijua mundësia që pagat e tyre të rriteshin automatikisht me rritjen e pagës mesatare në vend.

Me koeficientët e rinj synohet të vendoset një model më i qëndrueshëm për llogaritjen e pagave dhe të kufizohet mundësia për rritje të mëtejshme të shpenzimeve nga buxheti.

Masa përfshin presidentin e shtetit, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, deputetët, si dhe drejtuesit e organeve të pavarura rregullatore dhe komisioneve shtetërore.

" "

Kryetari i Komisionit, Gjorgjia Sajkoski, deklaroi se propozimi është përgatitur në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim shmangien e një vakumi ligjor në mënyrën e llogaritjes së pagave.

Pas miratimit në Komision, propozimi pritet të shqyrtohet në seancë plenare, ku deputetët do të votojnë për miratimin përfundimtar të tij.

sqShqip