Komuna e Dibrës festoi Ditën e Komunës, 23 Shtatorin. Ceremonia u mbajt në Sallën e Këshillit Komunal, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale, udhëheqësia lokale dhe administrata komunale. Këshilli i Komunës së Dibrës, në vitin 2019, vendosi që Dita e Komunës së Dibrës të jetë 23 Shtatori, në shenjë të kryengritjes së popullit dibran kundër pushtetit serb, e cila u zhvillua nga dibranët në vitin 1913. Deri në vitin 2019, Dita e Komunës së Dibrës ishte 8 Shtatori. Duke folur për historikun e 23 Shtatorit, përfaqësuesja e komunës, Majlinda Osmani, theksoi se kjo është një ditë e kujtimeve dhe ditë e dinjitetit dibran.
“23 Shtatori 1913 është Ditë e kujtimeve, por edhe Dita e dinjitetit dibran. Më 23 shtator, populli dibran u ngrit në kryengritje kundër pushtuesve serbë. Atëherë, në krye të Dibrës u vendos heroi i popullit dibran, Sefedin Pustina”, u shpreh Osmani. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ishte prezent në ceremoninë festive, tha se të gjithë krenohen me Dibrën dhe dibranët, dhe se Dibra do të vazhdojë të zhvillohet edhe më shumë në të ardhmen.
“Të gjithë krenohemi me Dibrën dhe dibranët kudo që të jemi, prandaj sot, në këtë kremtë të komunës, jam prezent edhe unë. Jam i bindur se dinjiteti dibran vazhdon të jetë i fuqishëm, meqë atë e ka treguar gjatë historisë me aktivitetet dhe traditat e saja. Dibra do të vazhdojë të zhvillohet sa më shumë në të ardhmen”, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Kryetari i Komunës, Fisnik Mela, duke uruar Ditën e Komunës, potencoi se pushteti vendor vazhdon me shumë aktivitete me qëllim që dibranët të kenë një jetë më të mirë. Ai tha se janë duke u realizuar shumë projekte në interes të popullatës.
“Është hera e parë që kjo ditë e madhe festohet në mënyrë dinjitoze dhe të organizuar dhe se në vitet e ardhshme 23 Shtatori do të festohet edhe në mënyrë më dinjitoze. Pushteti vendor nga dita në ditë është duke realizuar shumë aktivitete me qëllim që të kemi një Dibër më të bukur, dibranë të buzëqeshur, si dhe të krijojmë kushte që të ndalim emigrimin e popullatës”, tha kryetari i Komunës, Fisnik Mela. Kryetari i Këshillit Komunal, Afrim Krkuti, tha se takimi i sotëm dhe festa e komunës tregojnë dinjitetin e lartë dibran, i cili ka qenë i pranishëm gjatë historisë, por edhe sot. (koha.mk)

