Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk e miratoi interpelancën për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e cila ishte dorëzuar nga partia Levica. Pas përfundimit të debatit parlamentar, nga gjithsej 77 deputetë që morën pjesë në votim, 58 votuan kundër, ndërsa 19 e mbështetën interpelancën.
Duke arsyetuar nismën, deputeti i Levicës, Amar Mecinoviq, vlerësoi se gjendja e sigurisë në vend është e pakënaqshme dhe akuzoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se nuk po ndërmerr reforma thelbësore.
“Maqedonia është shtet i pasigurt për shkak të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila nuk ndërmerr ndryshime strukturore për ta përmirësuar sigurinë. Qytetarët përballen me rreziqe edhe në aktivitetet e përditshme, sepse sistemi për mbrojtjen e tyre nuk funksionon siç duhet, por shërben për punësimin e kuadrove partiake”, deklaroi Mecinoviq.
Në anën tjetër, ministri Toshkovski tha se mbetet i përkushtuar për ta përmirësuar punën e institucionit.
“Do të jap gjithçka nga vetja derisa jam në këtë funksion, që në çdo segment të lë gjendje më të mirë nga ajo që kam gjetur. Nuk do të gënjej dhe do të vazhdoj të angazhohem maksimalisht. A do të jetë kjo e mjaftueshme, do ta tregojë koha”, theksoi Toshkovski.
Gjatë debatit, partitë opozitare akuzuan për skandale, lëshime dhe mungesë përgjegjësie në punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit. Nga ana tjetër, Toshkovski dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së theksuan rezultatet në luftën kundër krimit, rritjen e efikasitetit të institucionit dhe goditjen e grupeve kriminale, duke vlerësuar se nuk ka bazë për shkarkimin e tij.
Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për interpelancë zhvillohet në seancë plenare dhe zgjat një ditë pune, ndërsa duhet të përfundojë më së voni deri në mesnatë të së njëjtës ditë, kur zhvillohet edhe votimi.

